Prishet kontrata për uniformat e reja të policisë, u dilte ngjyra

Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia sqaron se përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancise financiare te kontrates në favor të Policisë së Shtetit.

“Theksojmë se per shkak te cilesise se dobet te mallrave dhe jashte kushteve te kontrates, kompanisë nuk i eshte bere asnje pagese nga Policia e Shtetit. Gjithashtu është përgatitur dokumentacioni për Agjencinë e Prokurimit Publik me qëllim përjashtimin e kësaj kompanie për një periudhë tre vjeçare nga konkurrimi për prokurime publike.”

Policia thotë se analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.

“Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj.”

Policia e Shtetit ka zgjidhur kontratën në 2 shtator duke njoftuar shoqërinë për ndërprerjen e kontratës.

Policia e Shtetit ka referuar një material kallëzimi pranë Prokurorisë, në ngarkim të kompanisë “Marsi & Al” sh.p.k., për akuzën “Shpërdorim i kompetencave”.