PROFESORË NGA KOSOVA NË UNIVERSITETIN “NËNË TEREZA” SHKUP

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Arsim Bajrami tha se do të japin mbështetjen me kuadro profesionale dhe akademike për Universitetin e ri “Nënë Tereza” në Shkup. Ai nuk mohoi se në Shkup ka ardhur pikërisht për këtë çështje.

“Meqenëse, është një universitet i rëndësisë së veçantë, ne si ministri do të ndihmojmë me të gjitha kapacitetet. Do të stimulojmë profesorët tanë që të vijnë deri sa të krijohet stafi vendor, sepse politikat e çdo universiteti janë që të krijoj sa më shpejtë kuadro vendor, në mënyrë që pastaj të ofrohen edhe programe të ndryshme studimore”, u shpreh Arsim Bajrami, Ministri i Arsimit të Kosovës.

Edhe ministri i Arsimit i Maqedonisë, theksoi se nuk do të mungojë mbështetja me kuadro profesionale nga Kosova.

“Universiteti “Nënë Tereza” tash më ka filluar dhe ky është një proces i pakthyeshëm për vitin tjetër. Stafi akademik veç më është themeluar dhe mbështetja e Kosovës nuk mungon, kështu që besoj se do t’ia dalim mbanë”, theksoi Pishtar Lutfiu, Ministri i Arsimit të Maqedonisë.

Me konkursin e fundit në Universitetin e ri “Nënë Tereza” janë përzgjedhur 45 profesorë dhe asistentë, kurse duhet të pranohen edhe 39 kuadro të tjerë. Dy ministrat u dakorduan për për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kanë vendosur që nga java e ardhshme të hapin grant për bashkëpunim.

Për këtë grant do të mund të aplikojnë institucionet e arsimit të lartë, si edhe OJQ-të të cilat merren me arsimin e lartë, përmes organizimit të konferencave, etj. Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu gjithashtu theksoi se planifikohet të zbatohet një program i përbashkët i doktoratës, një diplomë e përbashkët në mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkupit, në studimet e mjekësisë.

Përgatiti: Adnan Qaili