Profesori grek habit studentët në Selanik: Ndaj çamëve u bë spastrim etnik

 

Një studim shkencor i paraqitur në një nga sallat e Universitetit “Maqedonia” të Selanikut, i organizuar nga Fondacioni grek për Politikën Europiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), i cilëson mediat e dy vendeve, ato shqiptare dhe greke si shumë konservatore, me këndvështrime egocentrike dhe të pabalancuara. Sipas studimit të publikuar sot nga TCH, mediat në të dyja vendet përkëdhelin kordat nacionaliste dhe vazhdojnë të pasqyrojnë në mënyrë negative grekët në Shqipëri dhe shqiptarët në Greqi.

Por një nga qasjet më interesante që të bie në sy është ajo e profesorit Kostandinos Tsitselikis, i ftuar për të interpretuar studimin. Krahas të tjerave ai ka folur për çështjen çame, dhe shtoi se Greqia duhet të pranojë spastrimin etnik që është bërë në atë kohë.

“Mirë apo keq, historia ka kaluar dhe nga ana tjetër duhet që edhe pala greke të thotë ‘Po, u bë një spastrim etnik në atë kohë nga ushtria demokratike e Greqisë. Disa prej çamëve ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, u larguan të gjithë dhe nuk mund të kenë tashmë të drejta te pasuritë’ dhe të mbarojë kjo çështje”, raportohet të ketë thënë Kostandinos Tsitselikis.

“Shumë nga stereotipet dhe klima e keqe që ekzistojnë në popujt e dy vendeve, ose si e shikojnë njëri-tjetrin qytetarët e tyre kalon nga mediet”, tha Joannis Armakolas, profesor në Universitetin “Maqedonia”, Selanik.

Sipas hulumtuesit Panagiotis Pasxalidhis, prej vitit 2014 janë zhvilluar dy vite studime në analizat e 949 artikujve të 5 gazetave kryesore të Greqisë, nga spektri i majtë deri tek ai i djathtë. Më shumë janë pasqyruar 4 ngjarjet kryesore të këtij viti në lidhje me Shqipërinë, si presidenca greke, çështja “Kareli”, reforma territoriale dhe ndeshja Serbi-Shqipëri. Të gjitha janë trajtuar me syzet e bindjeve të çdo gazete, ku shtypi i majtë ka qenë më kritik ndaj nacionalizmit, ndërsa ai i djathtë ka ruajtur stereotipet e shfaqura gjatë viteve ’90, megjithëse vihet re një distancim nga ai këndvështrim.

Të pranishmit, kryesisht studentë, kanë ndjekur edhe studimin e bërë nga Instituti shqiptar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku në 223 artikujt e analizuar nga 3 gazeta shqiptare në 6 muaj të 2014-s, këndvështrimi varet nga rasti.