Projekti maqedonas për linjë hekurudhore Kërçovë-Lin(Pogradec), kur do bëhet realitet?

Ndërmarrja publike e Hekurudhave të Maqedonisë për infrastrukturë ka ngritur një iniciativë të kahmotshme që të lidhë dy vendet fqinje, Maqedoninë me Shqipërinë me anë të hekurudhave.

Kjo iniciativë pritet të bëj lidhjen historike, ku për herë të parë këto dy shtete do të përdorin edhe komunikacionin hekurudhor.

Hartimi i projektit është i porositur nga po kjo ndërmarrje e Maqedonisë, ku ndërtimi i hekurudhës do të nis nga Kërçova, dhe do të mbarojë në Lin të Pogradecit.

Nga ndërmarrja e hekurudhave të Maqedonisë për infrastrukturë shpjegojnë për procedurat që duhet të kalojë ky projekt si dhe detaje se çka përmban projekti:

“Konzorciumi të cilin e përbëjnë kompania spanjolle “Tipsa” dhe ajo franceze “LuiBerzhe” tashmë kanë përfunduar projektin kryesor për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë – Lin, në kufirin me Shqipërinë, i cili është pjesë e Korridorit 8.

Hekurudhat e Maqedonisë të njejtin projekt e kanë dorëzuar në Fakultetin e ndërtimtarisë në Shkup, ekspertët e të cilët do ta analizojnë projektin dhe do të japin vërejtjet dhe sygjerimet e tyre.

Sipas vlerësimeve për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë – Lin, janë të nevojshme rreth 450 milionë euro.

Ndryshe nga gjitha variantet e shqyrtuara për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë-Lin është zgjedhur varijanti i cili ka gjatësi prej 62.6 kilometrave dhe shpejtësi të projektuar prej 100 kilometra në orë.

Në këtë linjë hekurudhore e cila pritet të lidhë Maqedoninë dhe Shqipërinë do të ketë të ndërtuara dy stacione hekurudhore dhe atë në Mesheishtë dhe Strugë, ndërsa do të ketë edhe katër stacione pritëse dhe atë Bërdani, Slivovë, Izdegllavje dhe Radozhdë.

Kush do e fitojë tenderin nuk dihet sepse me përfundimin e  të gjitha procedurave do të shpallet tender në të cilin duhet të paraqiten kompanitë e interesuara për ndërtimin e saj.

Kërçovë – Lin është pjesa e pa ndërtuar e trasesë perëndimore të hekurudhës të Korridorit 8, i cili i lidh Detin e Zi, Bullgarinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Italinë. Sipas planeve pjesa hekurudhore e Korridorit 8 të përfundojë deri në vitin 2022”.

62.6 kilometrat, sa pritet të jetë e gjatë kjo rrugë trenash, pritet të shërbejë si nyje për të plotësuar korridorin 8, duke lidhur përpos Maqedonisë edhe Bullgarinë me Shqipërinë.
Ky projekt, sipas Hekurudhave maqedonase, është multi-dimensional dhe do të ndikojë në shumë fusha të zhvillimit ekonomik, në të tri shtetet.

Ky korridor është që do t’i lidhë tre shtetet në një rrugë të shkurtër, do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë në pjesën Gostivar, Kërçovë dhe Tetovë sepse trenat që kalojnë andej mund të bartin mall kah Shqipëria dhe drejt Bullgarisë.

Hekurudha Kërçovë-Lin pritet të shtrihet kryesisht në pjesë malore.
Binarët do të kalojnë edhe përmes 49 urave, që do të kapin gjatësinë prej 4.3 kilometra në total.

Projekti aktual, parasheh edhe ndërtimin e 13 tuneleve, ku më i gjati do të jetë 5.6 kilometra dhe do të jetë në Slivovë.

Për ta kompletuar “Korridorin 8”, Maqedonia ka nisur të lidhë edhe KrivaPallakën me Deve Bair, që paraqet hallkën e fundit të lidhjes së vendit me Bullgarinë.

Punët në ndërtimin e dy traseve tjera hekurudhore që janë 31 kilometra të gjata, ajo Kumanovë-Belakovc dhe Belakovc-KrivaPallankë, janë në një fazë më të avancuar, dhe pritet të mbarojnë sipas planit, deri në fund të këtij viti.

Maqedonia deri më tani ka hekurudhë nga jugu në veri, përmes “Korridorit 10”, me të cilat lidhet me Greqinë, Kosovën dhe Serbinë.

Kompletimi i hekurudhës lindje-perëndim përmes “Korridorit 8” parashihet të kryhet për gjashtë vjet.
Me katër anët e shtetit të mbuluara, autoritetet thonë se do të rrisin tregtinë mes vendeve fqinje, qarkullim më të madh të udhëtarëve. /tesheshi.com/