Projekti Shkup- Bllacë bashkimit të shqiptarëve dhe rrënimit të kufijve

Kandidatët për deputet të Bashkimit Demokratik për Integrim, bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 1, z.Artan Grubi dhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 2, z.Ejup Alimi  paralajmëruan ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-s që ndërlidhet me përbetimet, përkatësisht barazinë ekonomike dhe lidhjen infra-strukturore të territoreve të banuara kryesisht me shqiptarë.

Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 1, z.Artan Grubi tha se politikat e liderit të BDI-s, z.Ali Ahmeti janë në drejtim të bashkimit të shqiptarëve dhe rrënimit të kufijve dhe përafrimit të sa më të madh të Shkupit, me Tiranën dhe Prishtinën.

Siç i rrëzuam kufinjt me Kosovën dhe Shqipërinë duke mënjanuar përdorimin e pasaportave dhe duke bërë të mundur kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime, sot po promovojmë projektin e bashkëngjitjes të autostradës Shkup-Bllacë-Prishtinë dhe lidhjen e saj me rrugën e Kombit”, deklaroi z.Grubi.

Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 2, z.Ejup Alimi deklaroi se realizimi i këtij projekti është prej një rëndësie të veçantë për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Maqedonisë.

Autostrada Shkup-Bllacë ka një rëndësi të veçantë në krijimin e barazisë ekonomi dhe thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe vendeve fqinje. Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i investimeve në infrastrukturë i cili mund të quhet edhe investim për progres ekonomik të shqiptarëve”, deklaroi z.Alimi.

Alimi gjithashtu përmendi edhe hapjen e pikës kufitare Bellanoc-Stançiç, përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër-Qafë Thanë, si dhe projektimin e autostradës Gostivar Kërçovë.

Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve Faton Pollozhani njoftoi mbi çështjet teknike të autostradës Shkup-Bllacë e cila fillon nga nyja e Stenkovecit deri në kufirin me Republikën e Kosovës që përfshin 12,5 KM autostradë moderne.

Traseja e autostradës do të kalojë nën katër tunele me gjatësi prej 842 metra, 9 mbikalime dhe 2 nënkalime. Vlera e përgjithshme e investimit është 100 milion euro.