Prokuroria Speciale dhe EULEX-i kërkojnë dorëzimin e 57 serbëve për krime lufte në Kosovë


Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar 57 fletë-arreste për serbë që dyshohet të kenë kryer krime të luftës në Kosovë. Urdhëresat janë lëshuar nga gjykatat me kërkesë të prokurorëve të EULEX-it.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridonë Kozmaqi në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se tashmë janë duke u zhvilluar hetime ndaj disa personave që lidhen me veprën penale për krime lufte.
“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime kundër disa personave për vepra penale që ndërlidhen me krime lufte. Sipas kërkesave te kësaj prokurorie të ushtruara nga prokurorët vendës, gjyqtarët e procedurës paraprake të gjykatave themelore kanë lëshuar 57 letër rreshtime vendore e ndërkombëtare. Po ashtu letër rreshtime janë lëshuar edhe sipas kërkesave të prokurorëve të EULEX-it nga ana e gjykatave”, ka thënë Kozmaqi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale këto urdhër-arreste i ka lëshuar me datë 5 janar të vitit 2017, një ditë pas arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit është arrestuar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, ku akuzohet për krime lufte.
Avokati Tomë Gashi, ditë më parë në një prononcim për “Indeksonline” pati deklaruar se lëshimi i urdhër-arresteve për serbët menjëherë pas arrestimit të Haradinajt, është jo taktik, pasi një veprim i tillë ishte dashur të merrej më herët.
Ai ishte shprehur se vetë Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente ndaj rastit të fletë-arresteve që i lëshon Serbia, sepse nuk ka bërë kërkesë në komision të INTERPOL-it që të shqyrtohen këto urdhëresa nëse kanë konotacion politik, të cilat nëse do të rezultonin pozitive, ato do të pastroheshin./Indeksonline