Prokuroria Speciale nis hetimet për blerjen e makinës së Gruevskit

Prokuroria Speciale në Maqedoni ka njoftuar nisjen e hetimeve për raste të reja lidhur me shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët shtetërorë.

Hetimi i parë ka të bëjë me rastin e koduar “Tanku”, që i adresohet blerjes së makinës “mercedes” në vlerë prej 600 mijë euro nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski.

Nën hetimet lidhur me këtë shpërdorim janë drejtuesit e lartë të MPB-së, por pa saktësuar identitetin e personave që po hetohen.

“Në rastin konkret ekziston dyshimi se me qëllim plotësimit të dëshirës së kryeministrit të atëhershëm për furnizim me makinë speciale, e dyshuara e parë, ka inkurajuar të dyshuarin e dytë që të shfrytëzoj detyrën dhe autorizimet e tij dhe gjatë furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të favorizojë operatorë të caktuar ekonomik dhe të blihet një makinë e atij lloji”,thuhet në njoftimin me shkrim të Prokurorisë Speciale.

Rasti tjetër i koduar si “Tarifa” ka të bëjë me blerjen përmes një procedura joligjore të një softueri në vlerë prej rreth 4 milion euro për nevojat e kompanisë energjetike “ELEM”. Për këtë rast dyshohet 7 zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Ekziston dyshim i fuqishëm se një pjesë e të dyshuarve në mënyrë të paligjshme kanë lejuar të harxhohen para për licencim dhe mirëmbajtje të softuerit, në kundërshtim me kushtet e Marrëveshjes për tenderim publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. (REL)