Protestat në Rumani nuk ndalen, dita e katërt

Protestat në Rumani kundër dekretit të dekriminalizimit kanë hyrë në ditën e tyre të katërt, ndërkohë që ombudsman-i i vendit, e ka sfiduar dekretin në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, zbatimi i kësaj legjislature nuk është urgjent, ndërkohë që qeveria argumenton se kjo është një direktivë e Bashkimit Europian për të gjitha vendet anëtare. Rumania përballet kështu me protestat më të mëdha në vend që nga koha e komunizmit, teksa shqetësimit të qytetarëve i janë shtuar edhe fuqitë perëndimore, si Gjermania dhe SHBA.

Bukuresht- Ombudsman-i rumun ka sfiduar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e kabinetit, të kaluar më herët gjatë javës, ku dekriminalizohen veprat për marrjen e rryshfetit, në një përpjekje për të reduktuar fushatën anti-korruptive në vend, që nxiti protesta masive dhe kritika ndërkohmbëtarisht.

Dhjetëra mijëra njerëz iu drejtuan rrugëve të Bukureshtit dhe 70 qyteteve të tjera përqark Rumanisë në ditën e katërt të protestave paqësore mbarëkombëtare, ku njerëzit kanë kërkuar një ndalim të menjëhershëm të legjislaturës.

“Shfuqizojeni”, “Korrupsioni vret” ishin disa nga parullat e protestuesve në sheshin kryesor të Bukureshtit përpara godinës qeveritare, ku shumë valvitën edhe flamurin kombëtar.

Qeveria ka refuzuar kërkesat për të anuluar dekretin, edhe pse kabineti duket i përçarë, me dorëheqjen e një ministri dhe kërkesës nga zv/presidenti i partisë në pushtet që masa të tërhiqet.

Qeveria e adoptoi këtë masë në një procedurë emergjente në 31 janar, duke thënë se kjo nevojitej për ta drejtuar Rumaninë ish-komuniste drejt një direktive ligjore të Bashkimit Europian për vendet anëtare, që ka për qëllim “të konsolidojë disa aspekte të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për të qenë i pranishëm në seancat gjyqësore”.

Por ombudsman-i rumun, Viktor Ciorbea thotë se nuk ka një urgjencë në zbatim, pasi afati i BE për këtë është në prillin e vitit të ardhshëm.

Dekreti ka nxitur disa nga protestat më të mëdha kombëtare që kur diktatori komunist Çaushesku u hodh poshtë në një rebelim që përfundoi me vdekjen e tij më 1989. 8 fuqi perëndimore, ku përfshihen Gjermania dhe SHBA, kanë shprehur shqetësimet e tyre se dekreti mund të vendosë në rrezik parteneritetin me BE dhe NATO-n.

Rumania është pjesë e të dyjave, por gjithsesi ka bërë një punë jo të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe mbetet një nga vendet më të varfëra europiane.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat qeverisë deri në 7 shkurt për të paraqitur mendimin e tyre, ndërkohë që qeveria thotë se ndryshimet legjislative gjithashtu do të lehtësojnë mbipopullimin në burgjet rumune.

/Oranews.tv/