Pse bizneset kosovare po orientohen në shtetin serb e jo në Shqipëri?

Përmirësimi i infrastrukturës ligjore, çështja e interkoneksionit, heqja e burokracisë, zbatimi i ligjeve në praktikë, njohja e diplomave me automatizëm janë vetëm disa nga çështjet të cilat kërkojnë përmirësim në mes Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që të dyja vendet të kenë bashkëpunim më të mirë ekonomik.  Por, a po bëjnë të gjitha këto çështje që prodhuesit kosovarë më shumë të tentojnë të rrisin bashkëpunimin me Serbinë apo me Shqipërinë. Madje, derisa me Shqipërinë ekziston një import 100 milionë euro një gjë e tillë me Serbinë është katër herë më e madhe, kurse vet përfaqësuesit e bizneseve më shumë tentojnë që të rrisin bashkëpunimin me Serbinë se sa me Shqipërinë. E, prodhuesit kosovarë thonë se më lehtë e kanë që të eksportojnë në vendet evropiane se sa në Shqipëri, pasi që nga kjo e fundit ende ka byrokraci për bizneset kosovare.

Kështu deklaruan  në emisionin “Euro Tribuna”, me Menduh Abazin, deputetja e PDK-së, Sala Berisha-Shala, ku prezentë ishin edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, dhe profesori i ekonomisë, Naim Gashi.

Deputetja Berisha-Shala, ka thënë se sa i përket çështjes së burokracisë nga ana e Shqipërisë kjo gjë mund të thjeshtohet, duke shtuar se një gjë e tillë ekziston edhe nga pala kosovare për bizneset e Shqipërisë.  E, sa i përket zbatimit të legjislacionit ajo ka thënë se kjo gjë lë për të dëshiruar, por ka shtuar se prapë se prapë burokracia më e madhe ekziston në Shqipëri.

Sipas saj, nëse shqiptarët dëshirojnë të jenë faktorë në vendet e huaja kjo gjë nuk varet vetëm prej Kosovës dhe Shqipërisë por rol në këtë duhet të luajë edhe  hapësira shqiptare në Ballkan.

Por, mendim më ndryshe kishte kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Ai ka theksuar se bizneset kosovare nuk kanë ankesa të mëdha ndaj Shqipërisë, sa kanë ndaj Serbisë. Por, se pavarësisht kësaj Shahini ka pohuar se janë vet përfaqësuesit e bizneseve të cilët tentojnë që me çdo kusht të rrisin bashkëpunimin me Serbinë .

Por, sipas Shahinit kjo gjë nuk duhet të ndodhë pasi që po punohet mjaft në këtë drejtim  dhe se shqiptarët duhet të ndryshojnë mentalitetin konsumues. Shahini, ka përmendur edhe çështjen e importit dhe eksportit në Shqipëri dhe Serbi.

Që bizneset kosovare po hasin në byrokraci të madhe në shtetin e Shqipërisë e thotë, profesori i ekonomisë, Naim Gashi. Sipas tij, prodhuesit kosovarë më lehtë eksportojnë në  Evropë se sa në Shqipëri, duke theksuar byrokracia e administratës në Shqipëri është mjaft e madhe.

Gashi, ka pohuar se fatkeqësisht Kosova nuk e ka një ambasadë të fuqishme sikur Italia dhe Greqia për të hequr byrokracinë e shtetit shqiptarë dhe prodhuesit e Kosovës, edhe tragtarët edhe investitorët e Kosovës përballen nga probleme më të ndryshme dhe këtë e tregon edhe shkalla e investimeve të përbashkëta.

Sipas tij, autoritet shqiptare në Shqipëri nuk bëjnë shumë përjashtim për prodheusit kosovarë, prej vendeve të  Ballkanit, madje  janë pengesë për investitorë të jashtëm sidomos për ata nga Kosova .