Pse fëmija im nuk flet?

Frika dhe tmerri që i shoqëron prindërit kur me fëmijën e tyre diçka nuk po shkon si duhet, i çon ato në gabime në sjelljen që duhen të kenë me fëmijën, në krahasim me zhvillimin me fëmijët e tjerë bashkëmoshatarë. Informacioni i cunguar ndaj atij që quhet zhvillim gjuhësor, ose i gabuar në vorbullën e informacioneve që merren në internet, shkakton jo rrallë herë ankth, shqetësim tek prindërit. Ombrella që përdorin më së shumti është gërmimi thellë ne historikun e familjes, për të gjetur ngjashmëri me gjyshërit, tezet, edhe vetë prindërit, për të justifikuar vështirësinë e fëmijës së tyre.

Ajo që ato shpeshherë nuk e dinë është që fillesat e një zhvillimi gjuhësor shfaqen që në muajt e parë të jetës. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin cdo etapë të “gjuhës” së fëmijës së tyre që në ditët e para të jetës. Ato kërkojnë me ngulm një vizitë te specialisti, logopedi, kur bien këmbanat e alarmit, kur fëmija i tyre “nuk flet” në moshën 3 ose 4 vjeçare. Në takimet e shpeshta që kam me prindërit, mundohem të shpjegoj që të folurit është shumë kompleks, duhet të kombinohen disa proçese shumë të rëndësishme, që fëmija të nisë të flasë. Por mbi të gjitha shenjat e para të një zhvillimi gjuhësor normal nisin që në moshë shumë të hershme, që në muajt e parë të jetës nëpërmjet gugatjeve, tingujve e më pas ndërtimin e rrokjeve të para në muajin e 6 të lindjes.

Jo vetem kaq, por fëmija komunikon me të tjerët nepërmjet të qarës, buzëqeshjeve e reagimeve duke i’u përgjigjur zërave të nënës fillimisht e më pas edhe të përsonave të tjerë. Muaji i 10-të deri në muajin e 15-të përkojnë me nxjerrjen e fjalëve të para, lidhjen e rrokjeve duke i dhënë kuptim fjalëve që formojnë. Më pas në moshën 18 muajshe deri në 24 muaj fëmija mund të thojë 10 – 50 fjalë, ku mes tyre nis edhe të formojë fjali me dy ose tre gjymtyrë për të shpjeguar atë që do. Gjuha receptive përbën perceptimin, të kuptuarin dhe me pas gjuha ekspresive të folurën dhe artikulimin e saktë. 3 vitet e para të jetës janë vite shumë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës, ashtu siç janë të rëndësishme për zhvillimin konjitiv, për ndërtimin e marëdhenieve, për krijimin e shumë sjelljeve dhe përshtatshmërinë, ashtu janë po aq të rëndësishme në zhvillimin gjuhësor.

Vonesat e te folurës brenda moshës 3 vjeç e gjysem mund të jenë pjesë edhe një vonesë fiziologjike e cila nuk mund të mos jetë gjithmonë shqetësuese. E mbi të gjitha tashmë, edhe në vendin tonë ka një specialist i cili i përket vetëm problematikave të të folurit dhe të gjuhës që quhet logoped. Për çdo shqetësim duhet të drejtoheni te logopedi për një shpjegim sa më të qartë për të lënë pas cdo mëdyshje, për të diferencuar problematikat e të folures me çrregullime të tjera, për të kuptuar nëse fëmija juaj ka një çrregullim në të folur apo prania e një çrregullimi tjetër më të madh mund të ketë shkaktuar edhe vonesat në zhvillimin gjuhësor.

* Autorja është Logopede, Master. Punon pranë Qendrës së këshillimit dhe shërbimeve psikologjike, Shkodër.