Pse nuk morën pjesë përfaqësuesit e RDK-së dhe Unitetit në takimin e mbrëmshëm me 3 nënkryetarët e BDI-së?

Mbrëmë u realizua një takim midis tre nënkryetarëve të BDI-së si dhe liderit të LR PDSH-së, Ziadin Sela që është pjesë e Aleancës për shqiptarët. Tre nënkryetarët e BDI-së, Ziadin Selës ia prezantuan dokumentin e dërguar nga LSDM-ja si dhe mori qëndrimin e Aleancës për shqiptarët ku participojnë tre parti për rrjedhën e mëtutjeshme, transmeton Tetova1.

Në takimin e tre nënkryetarëve të BDI-së me përfaqësuesit e Aleancës për shqiptarët munguan lideri i Unitetit, Gzim Ostreni si dhe lideri i RDK-së, Vesel Memedi i cili para disa ditëve kreun integrist e quajti kryeplak.

Vesel Memedi i RDK-së para disa ditëve në emisionin Click Plus deklaroi se kryeplaku  Ali Ahmeti duhet që t`i jap raport për bisedimet e realizuara me VMRO-DPMNE-në ose LSDM-në dhe pastaj ai mund që të jap përgjigje se çka më tutje. Sipas tij, subjektet politike shqiptare nga Aleanca për shqiptarët e kanë autorizuar Ali Ahmetin për të udhëhequr me bisedimet dhe secilit prej tyre veç e veç duhet që t`i jap raport për të arriturën.

Takimi i mbrëmshëm midis tre nënkryetarëve të BDI-së  dhe kreut të LR PDSH-së, Ziadin Sela e hodhi poshtë atë që tha Vesel Memedi.

Përndryshe para disa ditësh u bë publik një informacion se partitë pjesëmarrëse në koalicionin Aleanca për shqiptarët do të shkrihen në një parti. Ky informacion u demantua fuqishëm nga RDK-ja e Vesel Memedit, ndërsa më vonë përfaqësuesit e LR PDSH-së dhe të partisë UNITETI bënë publike lajmin e shkrirjes.

Siç duket Vesel Memedi i RDK-së është i pakënaqur nga rrjedhat e bisedimeve dhe pozicioni i tij në Aleancën për shqiptarët.