PSP nuk ka marrë ende kërkesë për ‘filtrimin’ e ministrave

 

Zoran Zaev ende nuk ka dërguar emrat e ministrave të propozuar në shqyrtim tek Prokuroria Speciale, për të parë nëse janë nën ndonjë hetim. Zaev tha se ekipi i tij juridik po përpilon kërkesën dhe ditëve në vazhdim do të dërgohet në adresë të speciales. Zaev nuk deshi personalisht të komentojë nëse ka njohuri për ndonjë prej ministrave që është i inkriminuar.

 

“Nëse duam ta kthejmë shtetin ligjor, nuk ka mundësi që njerëz të dënuar për kriminalitet ose që janë të përshirë në kriminalitet të bartin funksione të rëndësishme publike…Edhe kur i publikonim bombat, ne ishim shumë të kujdesshëm pasi nuk pretenojmë të jemi as prokuror as gjykats. Gjithçka që ishte indikacion ose dyshim për shkelje ligji,kriminalitet, shkelje të Kushtetutës ne e publikuam dhe tani ka institucione që do të prononcohet për këto çështje”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Nga Prokuroria Speciale për televizionin Shenja thanë se janë në pritje të kërkesës së lideri të socialdemokratëve.

I pyetur nëse të njëjtën kërkesë do ta dorëzojë edhe para Prokurorisë së Marko Zvërlevskit e cila po heton ish kryetarin e Strugës, Dibrës, Studeniçanit, Dollnenit, e Sveti Nikoles për krim financiar dhe keqpërdorim të detyrës, Zaev tha se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, njofton TV Shenja.

“Ju sot më keni kapur me deklaratë para Prokurorisë Publike. Thuajse çdo javë jam në prokurorinë e Marko Zvërlevskit dhe mua nuk më duhet vërtetim se a jam ose jo nën hetime…Nëse kërkoj nga Prokuroria Publike mendim për ministrat e BDI-së, më mirë të kërkoj nga Nikolla Gruevski, Prandaj nuk do të kërkoj për asnjërin”, deklaroi më tej Zaev.

Më 15 maj, Prokuroria Themelore njoftoi se Policia Financiare ka ngitur padi penale kundër 4 ish kryetarëve të komunave të Strugës, Dibrës, Studeniçanit, Dollnenit dhe Sveti Nikoles për keqpërdorimin e pozitës zyrtare që është bërë nëpërmjet shpalljes së tenderëve.

Nga Prokuroria Themelore nuk dhanë detaje se për cilët kryetar ose gjatë cilave mandate kanë ndodhur keqpërdorimet, por vetëm tha se do të bëhet hetime dhe shqyrtime të padive që përmbajnë provat për krimin e bërë, dhe më pas do të ngritet edhe akuza. Edhe pse televizioni jonë është interesuar disa herë tek Prokuroria Publike për rrjedhën e këtij hetimi, ende nuk ka ndonjë epilog.