PSP përgënjeshtron Prokurorinë për “Sopotin”, Fetai: Dëshmia e Ramadan Bajrami, me dhunë

Prokuroria Speciale Publike hedh poshtë versionin e Prokurorisë Themelore  Publike dhe Këshillit të Prokurorëve Publik mbi rastin “Sopoti”. Specialja ka konstatuar se dëshmia e Ramadan Bajramit, dëshmitarit kryesor për këtë rast është dhënë me dhunë të ushtruar nga zyrtarë të MPB-së.

Ndonëse lënda nuk ka kaluar në duart e speciales, ekipi i Katica Janevas është duke hetuar edhe autorët e vërtet të rastit.

Rrëfimi i dëshmitarit Ramdan Bajrami në të cilën dëshmi janë bazuar të gjitha vendimet gjyqësore të cilat janë zbatuar deri më tani e që tani janë ndërprerë dhe përsëri janë iniciuar hetime të reja është rrëfim me forcë.

Rrëfimi i tillë është produkti i ushtrimit të forcës dhe kërcënimeve ndaj integritetit të tij nga ana e zyrtarëve të MPB-së me çka konstatohet se nga ana e këtyre personave të cilën kanë proceduar në kohën e pyetjes së dëshmitarit është kryer vepër penale torture- deklaroi prokurorja Fatime Fetai.

Faktin se ndaj Ramadan Bajramit është ushtruar dhunë e kanë konfirmuar edhe të punësuarit në MPB të cilët aso kohe kanë proceduar me veprën.

Pavarësisht vjetërsimit të veprave që të mund të ndjeken, këto dëshmi dhe fakte që kanë dalë nga to kanë ndikim të drejtpërdrejtë ndaj procedurës e cila është në rrjedh e sipër pranë Gjykatës Themelore Shkup 1 dhe përderisa lënda do të kalojë në kompetencat tona të njëjtat fakte do t’i prezantojmë para gjyqit dhe do të sjellim vendim të duhur- shtoi Fatime Fetai.

Alsat M nga burime të sigurta mëson se gjatë kohës kur Ramadan Bajrami ka deklaruar të vërtetën para speciales ndaj të njëjtit është ushtruar presion nga një person fillimisht i pa njohur i cili ka kërkuar të takohet me të.

Më pas është konstatuar se personi i cili ka kërkuar takim me Bajramin është inspektor në SPB në Kumanovë. Megjithatë nga specialja nuk komentuan informacionet për Alsat, nën arsyetimin se çdo koment shkon në dëm të hetimit.

Duke u bazuar vetëm në dëshminë e Ramadan Bajramit në cilësinë e dëshmitarit të fshehur, Gjykata aso kohe kishte sjell vendim që për vendosjen e minës në veturën e forcave të NATO-s, 11 banorë të fshatit Sopot të dënohen me 150 vite burg.

Në vitin 2008 Bajrami kishte noterizuar versionin e tij të kundërt me atë që ishte imponuar ta jepte para hetuesve në vitin 2001. Më vonë më dëshminë e ish ambasadorit Bigman të dënuarit u liruan, ndërsa procesi gjyqësor u nis nga fillimi.

Pafajësia e të dënuarve u dëshmua edhe në vitin 2015 në njërën nga bombat e opozitës, bisedë telefonike në të cilën për të dënuarit nga Sopoti bashkëbisedonin ish ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska me ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov. Pavarësisht gjitha dëshmive kundër vendimit të Gjykatës dhe indikacioneve që çojnë drejtë të vërtetës, rasti Sopoti ende nuk ka marr epilog përfundimtar.

Adrian Kerimi

Shpërndaj me