Publikohet deklarata e përbashkët e partive shqiptare

Publikohet më në fund deklarata e përbashkët e arritur nga partitë shqiptare parlamentare në Maqedoni, përmes së cilës theksohet realizimi i shumë çështjeve shqiptare të pazgjidhura në këtë vend. Por, dokumenti nuk ka afate të caktuara zbatimi, pasi thekson se duhet të përmbushet brenda cilësdo përbërje qeveritare; konkretisht: në mandatin e ardhshëm qeverisës ose në çdo mandat tjetër pasues.

Në deklaratë fillimisht thuhet se Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, angazhohen për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues si dhe arritjen e barazisë gjuhësore

“Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.

Partitë, më tej thuhet se angazhohen për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”;

Partitë, mbështetje të plotë i japin edhe punës e Prokurorisë Speciale, edhe pse nuk thuhet në mënyrë eksplicite për mandatin e saj, për ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, dhe si do e realizojnë këtë kur nevojiten 2/3 e votave. Në deklaratë gjithashtu thuhet se partitë do të angazhohen për “zbardhjen e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare”.

Në dokument ka fituar vend edhe ideja për miratimin e një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën të dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956.
Dokumenti përfshinë edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal ndërsa kërkohet edhe formimi një i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie me Komunitetet, si dhe realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

“Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave… Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara”, thuhet më tej në dokument.

Sa i përket integrimit të Maqedonisë, partitë politike shqiptare në bazë të dokumentit të dakorduar, angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme për siç thuhet, “prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë;

“Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Miratimi i një Rezolute të Përbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se çështjes së emrit. Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë. Marrëdhënie të mira me fqinjët. Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve. Hapje e pikave të reja kufitare”, thuhet në deklaratë.
Ashtu sikurse kishte njoftuar edhe më herët ALSAT, në dokument mbeten shumë pika kyçe të paqarta, ajo e afateve të arritjes së tyre, si dhe mundësisë se sa do të përbëjnë këto pika, kushte në formimin e qeverisë së re, pasi disa parti theksonin se nuk do të hynin në Qeveri nëse për disa çështje nuk do të vendosej që në seancën e parë kuvendare.

Përmbushja e këtyre objektivave, siç thuhet në dokument, do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare, e cila do të përcaktonte afatet për realizimin tyre ndërsa do të funksiononte sipas parimit të rotacionit.