Publikohet raporti i obduksionit të Astrit Deharit

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka marr raportin për obduksionin e Astrit Deharit.

Ai ka thënë se Dehari ka vdekur nga asfiksia me mjet të fortë, transmeton Koha.net.

“Ne kemi marrë raportin e Astrit Deharit, raport ky që thotë se ai ka vdekur nga asfiksia me mjet të fortë. Ne jemi duke analizuar këtë raport dhe pritet të dalim me një komunikatë më vonë. Ne do të analizojmë se cilat janë shkaqet e vdekjes së tij”, ka thënë Gashi.

Ai më tutje ka thënë se Prokuroria nuk ka lejuar që ekspertët e familjes t’i kenë materialet, ndërsa thotë se nuk iu kanë dhënë as fotot nga autopsia.

I pyetur nëse në raport të autopsisë ceket edhe se kush e ka shkaktuar asfiksinë, avokati i familjes Dehari është shprehur se Instituti i Mjekësisë Ligjore jep vetëm shkakun e vdekjes, ndërsa me provat tjera do të merret Prokuroria.

Gashi ka kërkuar gjithashtu që të gjitha materialet t’i kenë edhe ekspertët e angazhuar nga familja e Astrit Deharit.