Putin i dhuron Steven Seagal nënshtetësinë ruse

Aktori amerikan Steven Seagal ka marrë nënshtetësinë ruse. Presidenti Putin ka firmosur një dekret që e bën ekspertin e arteve marciale qytetarin më të ri të Rusisë. Seagal mik i Putin e përshkroi shefin e Kremlinit si “njërin nga liderët më të mëdhenj të botës”.

Zëdhënësi i Presidentit deklaroi se Seagel ka qenë gjithmonë i mirëpritur në Rusi, ndërsa statusi i tij si një aktor i famshëm ishte një arsye për t’i dhënë nënshtetësinë.

Aktori ka mbështetur edhe aneksimin e Krimesë nga Rusia duke deklaruar se ishte një veprim “shumë i arsyeshëm”. Ai zhvilloi edhe një koncert në vitin 2014, pak kohë pas aneksimit.

Seagal, gjyshja e të cilit është me origjinë nga Vladivostoku, ka vizituar disa herë Rusinë në vitet e fundit, duke qenë edhe në Kamachatka dhe Sakhalin në shtator. Ai deklaroi se dëshironte që të kalonte disa muaj në vit në shtetin rus.