Putin: OSBE-ja të dërgojë policë të armatosur në Ukrainën lindore

Presidenti rus Vlladimir Putin pranoi që në Ukrainën lindore të dërgohen policë të armatosur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – parim për të cilin ka insistuar Kievi në bisedat e djeshme në Berlin për konfliktin ukrainas, kumtoi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, cituar nga mediat franceze.

“Putini dha pëlqim për praninë e misionit të armatosur policor nga OSBE-ja në Ukrainën lindore”, tha Peskov para gazetarëve në Kremlin.

Ai shtoi se zhvendosja e një misioni të tillë do të jetë hap pozitiv, por vijon edhe shumë punë për këtë projekt të OSBE-së.

Prania eventuale e vëzhguesve të armatosur nga OSBE-ja në Ukrainën lindore menjëherë ka shkaktuar zemërim tek lideri separatist i Republikës të vetëshpallur Popullore të Donjeckut, Denis Pushilin, transmetojnë mediat franceze.

Vëzhguesit e OSBE-së, të cilët nga fillimi i veprimeve ushtarake në Ukrainën lindore, në prill të vitit 2014, e përcjellin situatën në zonën e konfliktit, nuk janë të armatosur.

Mandati i tyre është vazhduar deri në fund të marsit të vitit 2017 dhe që të bëhen ndryshimet e dëshiruara në misionin e OSBE-së, është e domosdoshme pajtueshmëria e 57-të vendeve-anëtare të organizatës, theksojnë mediat franceze.