Qeveria e Maqedonisë do të ndihmojë Hekurudhat me 70 milionë denarë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë në seancën e fundit solli vendim për rritjen e mjeteve në vlerë prej rreth 70 milionë denarësh në nivel vjetor, ndihmë të drejtpërdrejtë për punë operative të Hekurudhës, kumtoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në drejtim të tejkalimit të gjendjes gjithëpërfshirëse, Qeveria e Republikës së Maqedonisë në kuadër të ligjeve të zbatueshme do t’i dërgojë këto 70 milionë denarë shtesë me qëllim që të zgjidhet gjendja me bllokadën nga ana e të punësuarve. Njëherit sipas rregullave në Republikën e Maqedonisë, këto mjete shtesë do të mund të dërgohen nëse të punësuarit për punën e kryer zbatojnë dokumentacion adekuat për shpenzimet e bëra që të mundet mjetet e paguara të arsyetohen në buxhetin e Republikës së Maqedonisë”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Në përpjekjen e zgjidhjes së tërë gjendjes, nga Ministria apelojnë deri te ekipi menaxherial dhe organizatat sindikale të gjejnë zgjidhje që në afat sa më të shpejtë të mundshëm që të mundësohet funksionim normal i ndërmarrjes.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve theksojnë se në drejtim të zgjidhjes së tërë gjendjes do të vazhdojnë me pagesën e mjeteve në emër të transfertave dhe subvencioneve ndaj Hekurudhës, por vetëm në kuadër të rregullave dhe nën kushte për të cilat të punësuarit duhet t’i kryejnë obligimet e punës ndaj ndërmarrjes.