Qeveria e re, Ahmeti takoi edhe Zaevin

Pas takimit të një dite më parë me kreun e VMRO-së Nikolla Gruevski, kreu i BDI-së Ali Ahmeti takoi sot kreun e LSDM-së Zoran Zaev. Kamera e Alsat filmoi pamje para fillimit të takimit i cili është duke u zhvilluar aktualisht në selinë e LSDM-së por deri tani nuk ka detaje të tjera mbi atë se për çfarë diskutohet. Së fundmi, LSDM ka qëndruar e heshtur duke mos komentuar kushtet e vendosura nga partia e Ahmetit për formimin e Qeverisë. Nga ana tjetër, përpjekjet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për të negociuar për bashkëqeverisjen e mundshme do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Këtë e konfirmuan nga VMRO-DPMNE të cilët takimin e djeshëm të Gruevskit dhe Ahmetit e llogarisin si fillim i negociatave. Por në partinë e Gruevskit thonë se takimi nuk nënkupton se kanë heqë dorë nga kundërshtimet për dygjuhësinë dhe zgjatjen e mandatit të Speciales. Sipas tyre, deri më 29 janar ka kohë të bëhet shqyrtim serioz i të gjithë aspekteve të partnerëve të mundshëm të koalicionit. Poashtu nuk bënë me dije, nëse edhe takimet e ardhshme do të jenë mes vetë liderëve.

Takimi i djeshëm është me qëllim që pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë të ulemi dhe të negociojmë për formimin e shumicës në parlament dhe formimin e Qeverisë së re. Bisedimet do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme sapo të dy partitë pas bisedimeve të djeshme t’i miratojnë aspektet plotësuese në organet e tyre partiake. Pozitat tona që i thamë rreth këtyre çështjeve mbeten të pandryshuara. Sot do të diskutojmë përsëri për këtë temë por nuk besoj se komiteti ekzekutiv do t’i ndryshojë pozitat që i miratoi – deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Takimi Gruevski-Ahmeti u realizua larg syve të opinionit dhe nuk u dhanë më shumë detaje. BDI kërkon zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin, zgjatje të mandatit të Speciales dhe vazhdimin e procesit të euro-integrimeve./alsatm