Qeveria e re, Zaev kërkon mandatin nga Ivanovi

 Pres nga Gjorge Ivanov të më ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Çdo opsion tjetër do të jetë shkelje e Kushtetutës dhe keqpërdorim të funksionit – deklaroi Zoran Zaev, Lider i LSDM-së.

I pyetur për qëndrimin e tij kundrejt platformës së përbashkët të nënshkruar nga partitë shqiptare në Maqedoni, Zaev tha shkurt se për platformën në fjalë ka qëndrim por të njëjtin nuk e bëri publik.

 Kemi qëndrim përmbajtjesor edhe për platformën shqiptare pas së cilës qëndrojnë të gjitha partitë, ku besoj se qëndron e PDSH pas saj, po ndërkohë kemi qëndrim edhe për kushtet e BDI-së. Shpresoj se do të marrim mandatin, që më pas menjëherë t’i kumtojmë qëndrimet tona – tha Zoran Zaev.

Zaev u shpreh i bindur se nëse merr mandatin, mund të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Lidhur me takimet që i kishte me kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe tre nënkryetarët e kësaj partie Nevzat Bejta, Izet Mexhiti dhe Teuta Arifi, Zaev tha se për të njëjtit duhet të flasë BDI dhe jo LSDM. Nga BDI nuk kanë koment për qëndrimet e liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Koment nuk ka as Aleanca për shqiptarët nga ku njoftuan shkurt se ditëve në vijim do të thirret mbledhje e kryesisë. Ndërkohë koalicioni Rilindje me Besë sonte do të mbajë mbledhjen e kryesisë qendrore për të analizuar zhvillimet politike dhe për të dalë më qëndrim konkret.

Adrian Kerimi