Qeveria lë në harresë luftëtarin që vuan nga sëmundja e rëndë

Ish-pjesëtari anglez i UÇK-së, Jon Harrison, i ishte bashkuar luftës në vitin 1998 duke rrezikuar jetën për vendin i cili sot nuk ka bërë sa duhet për t’i ndihmuar të shërohet nga një sëmundje e rëndë.

Jon Harrison, oficeri i pensionuar britanik, kohët e fundit është bërë një nga ish-luftëtarët më të përmendur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u bë i njohur në Kosovë pasi në vitin 1998 i ishte bashkuar një lufte që nuk i takonte shtetit të tij, kurse sot është bërë aktualitet në publik për shkak të një fushate modeste për ta ndihmuar financiarisht për të tejkaluar një sëmundje të rëndë.

Ish-ushtari karizmatik i Brigadës “138 Agim Ramadani” vuan nga tumori, sëmundje që thotë se i shkakton vuajtje të rëndë.

“Për fat të keq, jam në dhimbje të madhe çdo ditë, në kokë dhe në shpinë. Më duhet të marrë shumë medikamente për të ndaluar dhimbjen, përfshirë morfinën,” thotë ai.

Ai duhet t’i nënshtrohet procedurave mjekësorë të cilat sipas tij kushtojnë rreth 42 mijë funte (rreth 50 mijë euro) ndërsa deri më tani ka tubuar përafërsisht vetëm gjysmën e të hollave të nevojshme. Për t’i dalë në ndihmë është krijuar një fushatë përmes telefonisë mobile VALA që i mundëson qytetarëve të dërgojnë para përmes telefonit, ndërsa mjete financiare kanë ndarë edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Por, ndihmë për të nuk ka iniciuar fare Qeveria e Kosovës ndërsa as ai nuk ka kërkuar zyrtarisht asgjë, meqë thotë se “e di që përgjigja e tyre do të ishte jo.”

“Për këtë qeveri, unë jam një person shumë, shumë i vogël”, thotë ai. “Ata kanë 1.8 milionë njerëz që të konsiderojnë para meje, gjë të cilën unë e mirëkuptoj. Nëse do të më jepnin para mua, atëherë ata duhet që të japin para për të gjithë, gjë ët cilën në fakt do të dëshiroja që të jenë në gjendje ta bëjnë,” thotë Harrison në një bisedë me Insajderin.

Kryeministri Mustafa ishte takuar me Harrison në tetor të vitit 2016, kur edhe i kishte dhënë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë luftës por nuk ishte raportuar për ndonjë plan që ta ndihmojë financiarisht atë.

“Në një mënyrë, Kosova ma shpëtoi jetën”

Afër dy dekada që nga përfundimi i luftës, Kosova vazhdon të sfidohet seriozisht nga një sistem i dobët shëndetësor. Numër i konsiderueshëm i njerëzve detyrohen që përmes fushatave të ndryshme publike të kërkojnë ndihmë financiare për trajtimin e sëmundjeve të rënda, të cilat nuk mund të trajtohen në Kosovë.

Edhe krijimi i një fondi shëndetësor është duke u zvarritur dhe nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të fillojë së zbatuari.

Në fakt, në disa raste Qeveria e Kosovës kishte ndarë fonde për të ndihmuar të prekurit nga sëmundje të ndryshme, përfshirë këtu së fundi edhe deputetin e LDK-së, Bardhyl Metaj.

 

Por, ani pse zyrtarisht ai ende nuk ka marrë ndonjë ndihmë nga institucionet e Kosovës, ai thotë se jeta e tij mund të jetë është shpëtuar pikërisht në Kosovë.

“Në një mënyrë, Kosova më ka shpëtuar jetën. Për shumë vite më është thënë se tumori im është terminal, por më ka rastisur të takoj Dr. Haxhi Avdylin, përmes të cilit mësova se një procedurë Gamma Knife mund të shkatërroj tumorin,” thotë ai.

Dhe shpresat i ka tek kjo procedurë, për të cilën edhe po tenton të mbledhë fondet e mjaftueshme për t’i kryer.

“Shpresoj se nëse gjërat shkojnë siç duhet, unë do të shërohem brenda një viti”.

Gamma Knife është procedurë mjekësorë të cilës i nënshtrohet fëmijët dhe të rriturit ndër të tjerash për tumore të vogla apo mesatare në kokë.

Kujtime lufte të “rebelit” të LDK-së

Harrison – që është veteran i UÇK-së – ka qenë nën urdhrat e komandantit të brigadës 138 Agim Ramadni, Anton Quni, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së.

Quni kishte mbledhur më 13 shkurt të këtij viti ish-luftëtarët e tij, për të organizuar mbledhjen e të hollave për britanikun.

“Bujaria shqiptare dhe fisnikëria e luftëtarit vazhdojnë të dëshmohen. Kemi ndihmuar njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tutje”, ka shkruar Quni në Facebook, ku ka postuar një fotografi nga takimi për të mbledhur para për Harrisonin.

Shumë vite më vonë pas luftës, britaniku tregon disa momente që i konsideron si të kujtime të vlefshme gjatë kohës sa ka qenë nën urdhrat e Qunit.

“Gjëja më e vështirë ka qenë kur trajnonim njerëzit dhe duheshim t’iu thoshim se nuk janë të përgatitur mjaftueshëm. Kjo ka qenë gjëja më e vështirë për mua, por ne duhej dërguar komandantit tonë njerëzit më të aftë,” tregon ai.

Por, kohët e vështira të luftës u zëvendësuan vetëm pak vite pas përfundimit të saj. “Moment krenaria për mua ka qenë t’i shohësh atë njerëz, që vetëm pak kohë më parë ishin djem të rinj, të jenë me familjet e tyre. Duke e ditur se ia kanë dalë të kthehen në shtëpi dhe kanë filluar jetët e tyre, kjo më ka bërë tejet krenar dhe çdo herë kam pasur një buzëqeshje të madhe në fytyrë.”

Harrison dhe Quni kanë vazhduar rrugëtimin e tyre edhe pas përfundimit të luftës. Aktualisht, britaniku është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën parti jo gjithherë ndanë qëndrimet e njëjta.

Në muajin janar, kur tensionet mes Kosovës e Serbisë u ngritën në masë të konsiderueshme si pasojë e disa provokimeve nga pala serbe, Harrison kishte thënë se është i gatshëm që të luftojë sërish “sepse kurrë nuk do të lë agresionin serb të fusë këmbën në Kosovë.”

 

 

Por, edhe pse deklarata e tij nuk kishte gjetur përkrahje nga partia e tij, ai thotë se i pëlqen të konsiderohet si rebel i LDK-së