Qosja: Shkëmbim territoresh me Serbinë, Kosova e Shqipëria të bashkohen

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar, Rexhep Qosja ka hedhur idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë ndërsa  Kosova të bashkohet me Shqipërinë.

I ftuar në Zona e Debatit në Klan Kosova ai tha se kjo është e vetmja mënyrë e zgjidhjes së çështjes dhe se do të ishte i gatshëm të bisedonte me serbët për cështjen e kufijve.

“Po. Po. Pse jo?”, ka thënë Qosja.

Ai ka deklaruar se e vetmja rrugë për të arritur tek një zgjidhje e qëndrueshme është që të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë – duke u bashkuar Kosova dhe Shqipëria –  ndërsa e ka cilësuar të pamundur pajtimin shqiptaro-serb, tani për tani, njofton Klan Kosova.

“Cështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Por është koncept të cilin ne duhet ta kemi përpara gjithnjë. Cështja serbe për shqiptarët për mendimin tim mund të zgjidhet vetëm në këtë mënyrë”.

“Tani për tani pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”. Nuk e heqin mendjen nga një koncept i para 300-400 vjetësh. Serbia sunohet nga njerëz që jetojnë me atë mitologji. Maska e rrejshme i ra edhe tani. Europianizmi i tyre retorik është i rrejshëm”.

“Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mencuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit”