Rama, shqiptarëve: Shijojeni ekspozitën e silluni mirë!

Nga dita e sotme deri më 2 prill, Galeria Kombëtare e Arteve, e hapur për publikun me njëqind vepra të ekspozuara nga kryeveprat e artit italian të viteve 1900. Ekspozita, 24 orë nën vëzhgimin e rreptë të forcave të brendshme. Kryeministri Rama, tregon gjithë “paranojën” dhe pasiguritë e të huajve, si imagjinatën e “barbarëve”, por jep këshilla për shqiptarët

Nga dita e sotme deri më 2 prill, Galeria Kombëtare e Arteve, e hapur për publikun me njëqind vepra të ekspozuara nga kryeveprat e artit italian të viteve 1900.

Ceremonia e hapjes është organizuar dje, duke u moderuar nga qeveria, si nismëtarja dhe mbështetësja e ekspozitës, si një mundësi për ta ekspozuar Shqipërinë një vend të sigurt, dhe jo barbar.

Të paktën kjo ka qenë sfidë e kryeministrit Rama për t’iu dhënë një farë garancie të huajve që nis nga veprimtaria sipas tij, më e vështira: sjellja e veprave origjinale e kryeveprave të artit italian. Ndaj këshilla e parë e kryeministrit për shqiptarët ka qenë: Silluni mirë!

Ndërsa në rrjetet sociale debatet mbi ekspozitën unike lidhej për paratë e hedhura nga qeveria, Rama nuk ka hezituar dje të japë përgjigjen se nuk mbaroi lufta me papunësinë, apo varfërinë, pse po hapet kjo ekspozitë, kur duhen ndërtuar teatro, rindërtuar muzetë…duke i marrë të gjitha faktet bashkë, në idenë e ndikimit të artit dhe kulturës në njeriun.

“Është e vërtetë se arti dhe kultura nuk japin bukë, po ka një realitet që mund të ketë bukë po s’ka art dhe s’ka kulturë. Është një thënie që thotë se “rrënjët e atdheut nuk janë në tokë, por në ushqim”. Dhe ushqim nuk është vetëm buka, por edhe kultura që marrim. Ne, na duhet të shkojmë përtej. Identitetit ynë është dhe Evropian. Sa më shumë art e kulturë, ngjarje të tilla, aq më shumë mundësi për krijimin e energjive pozitive te njerëzit dhe për ‘ushqimin’ që thotë ajo fjala e urtë”, ka thënë Rama.

Duke e konsideruar edhe si një pikë të rëndësishme në jetën e tij politike, kryeministri tha se ky koleksion veprash origjinale të artit botëror është “një darkë e bollshme me ushqime speciale të ardhur enkas nga Roma”.

Presidentja e organizatës “Arthemisia” që ndërmjetësoi ardhjen e koleksionit në Shqipëri, Jole Siena, duke treguar përvojën e shoqërisë së saj, ku çdo vit hapin 50 ekspozita, tha se këtë ekspozitë e ka ndjerë më shumë se të tjerat.

“Jam e emocionuar që mbërritëm te kjo ekspozitë. Ishte një aventurë e vështirë. Pamë të lindte me vështirësi, por është mbështetur nga një skuadër njerëzish të jashtëzakonshëm. Mjaftoi të shiheshim në sy për t’i besuar njëri-tjetrit. Unë kisha mëdyshjet e mia në fillim…”.

Ndërsa drejtoresha e Muzeve të Romës tha se dhënia hua e veprave të ekspozuar në Tiranë, ishte një akt kuraje dhe guximi.

Duke bërë një paraqitje të muzeve që janë prezente në Romë, rreth 22 të tilla, i pari i hapur më 1471, drejtorja e muzeve të Romës tha se pasuria e tyre deri në muzeun bashkëkohor ka kaluar në vështirësi e gëzime, kanë patur luftën, diktaturën, bumin ekonomik, fashizmin…të gjitha një mënyrë se si përmes kulturës lexohet historia, në këtë rast edhe njohja mes dy vendeve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke ironizuar mbi koston e kësaj ekspozite, siç është shkruar në media, tha se falënderonte kompanitë që mundësuan hapjen e kësaj ekspozite.

“Jam profan në këtë fushë, por si gjithë shqiptarët, kur shoh një gjë të bukur më pëlqen. Ndikimi i artit ka ndikim në jetën e qytetit. Aty ku ka art, nuk ka pisllëk. Mjafton të shohim këtu përballë, ku kemi Renë, ku nuk ka pisllëk. Brezi i ri rritet më i mirë kur shijon këto bukuri”, tha kryebashkiaku.

Për ambasadorin italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, muaj më parë ardhja e Novecentos në Tiranë është konsideruar një mision i pamundur, duke u shprehur se tanimë kjo ekspozitë duhet të shihet nga të gjitha shkollat shqiptare.

“Koleksionet na bëjnë për vete, na magjepsin me bukurinë, por edhe na frikësojnë në natyrën e tyre të përkohshme. Nuk ka mënyrë si mos e shikojmë përvojën emotive, për shkak se të jep emocione të forta”.

Mbështetur nga institucionet publike shqiptare, ekspozita u realizua falë një partneriteti italo-shqiptar me promovues Kryeministrinë, Ambasadën e Italisë në Tiranë, Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, Bashkinë e Tiranës dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, dhe me promovues të palës italiane Bashkinë e Romës, Departamentin për Rritjen Kulturore – Arkeologjinë, si dhe me kontributin themelor të Fondacionit Terzo Pilastro – Italia dhe Mesdheu. E gjitha nën koordinimin, prodhimin dhe organizimin e Arthemisia, shoqëri lider në nivel ndërkombëtar për artin dhe kulturën.

Duke vlerësuar kurajën e Sienës, presidentes së shoqërisë Arthemisia, kryeministri ka shtuar në fund të fjalës së tij se kjo ishte një aventurë, duke mos u parë si “të hipësh ca mallra në anije. Është shumë më tepër se kaq. Është një histori e pafundme me garanci sigurimesh, nisur garancia psikologjike, por të gjithë ata të Muzeut të Romës, kur u është thënë se duhet të çojnë kryeveprat në Shqipëri, në një vend ku imagjinata nuk punon të besosh se kryeveprat mund të vijnë e të ikin të paprekura. Në një vend ku asnjëherë më parë nuk ka ardhur ndonjë koleksion veprash origjinale. Ajo e bëri këtë nga një dëshirë e marrë për ta bërë, duke u dridhur nga ideja se mund të hidhet në erë karriera, dhe mund t’i thonë se mirë bërë që çove te barbarët gjithë këto gra lakuriq. Ka pasur detyrën të sillte sipërmarrje italiane dhe solli më të vështirën, artin italian”.

Nëse kjo ekspozitë do të rezultojë e suksesshme, që do të thotë asnjë incident me veprat, kjo do të shënohet si garanci për të sjellë Picason, koleksionin origjinal të tij. Me këtë fjali, kryeministri ka ftuar shqiptarët të shijojnë “darkën speciale” për të pasur një tjetër më të bujshme, dhe me këshillën: shijojeni dhe silluni mirë!