“Rambo” shqiptar paralajmëron ushtrinë serbe: Ende e kemi barutin e thatë!

Nisja e trenit ruso-serb në drejtim të Mitrovicës si edhe deklaratat me “luftë” të presidentit serb duket se e kanë tensionuar disi situatën në rajon, megjithatë Koloneli Dritan Demiraj nuk e cilëson këtë një tension karakteristik që mund të çojë në një konflikt më të gjerë duke e kategorizuar tek incidentet për konsum të brendshëm politik në Serbi.

Në një intervitë për Albeu.com, kolonel Dritan Demiraj, i cili ka organizuar dhe drejtuar për vite me radhë Batalionin e Operacioneve Speciale në Ushtrinë e Shqipërisë shpjegon vendosjen e forcave serbe në kufi me Kosovën si edhe qëllimin e tyre duke theksuar se synimi afatgjat është ndryshimi i vijës kufitare në veri.

Si e lexoni si veprim nisjen e trenit ruso-serb për në Mitrovicë në raport me tërësinë territoriale të Kosovës?

Mendoj që ka ardhur koha që shqiptarët në tërësi dhe ata të Shqipërisë dhe Kosovës në veçanti ti kthehen çështjes kombëtare si çështja më prioritare për ardhmërinë e tyre.

Edhe pse provokime të tilla (rasti i ndalimit të trenit) nuk janë veçse tentativa për të parë si do të reagojnë shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë (por dhe forcat e saj të sigurisë) dhe Kombi Shqiptar në tërësi, nuk mendoj se është momenti për humbjen e vëmendjes nga ajo që është shumë e rëndësishme: Uniteti politik dhe stabilizimi i vendit si përgjigja më e mirë ndaj provokimeve të tilla antishqiptare.

Sa më e unifikuar të jetë klasa politike Kosovare por edhe ajo Shqiptare në tërësi, aq më efikase do të jenë institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes, institucionet diplomatike, si dhe shoqëria në tërësi.

A rrezikohet një konflikt i përmasave më të gjëra nga incidente të tilla dhe a janë të gatshëm shqiptarët për një përballje tjetër me serbët?
Nuk mendoj se ka rrezik të përmasave që ju përmendët, por besoj që pjekuria institucionale e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të konsumojë fuqishëm instrumentat diplomatike vendase dhe të huaja, për të tërhequr vëmëndjen ndaj insidenteve të tilla.

Sa për gatishmërinë e shqiptarëve për tu përballur me mbrojtjen e vendit të tyre, unë mendoj se kjo është pjesë e traditës mijëra vjeçare të shqiptarit, i cili bukë në sofër nuk ka pasur bukë por barutin e ka mbajtur të thatë dhe zemrën gati për të mbrojtur familjen, vendin dhe gjithë atë ç’ka ne e thërrasim Atdhe.

A mund të ndodh një konflikt i tillë në praninë edhe të NATO-s në Kosovë?
Më shumë se një konflikt unë i lexoj këto si incidente sporadike bëhen për të tërhequr vëmendjen nga prioritetet madhore të vendit, ekonomia e dobët e Sërbisë, papunësia, korrupsioni dhe për të fituar disa vota më shumë nëpërmjet “patriotizmit”.

Nuk besoj se jemi në atë fazë kur mendohet që edhe përpjekja e jashtëzakonshme e SHBA-ve dhe BE është investuar për konsolidimin e institucioneve politike, diplomatike dhe të sigurisë së Kosovës, pikërisht për të evituar atë që do të ishte me të vërtetë në dëm të bashkëjetesës së mirë në Rajon.

Keni deklaruar se ju mjafton një vit për të ngritur një forcë të ngjashme me B.O.S edhe në Kosovë, si është mundur kjo teknikisht?
Sa për ngritjen e Forcave Speciale të Kosovës për një kohë të shkurtër e kam deklaruar dhe e kam tënë dhe më pare, por dhe tani se jam i gatshëm të jap kontributin tim personal por dhe të një ekipi të përzgjedhur me specialistë shqiptarë.

Duhet të mos harrojmë se FSK-ja ka bashkëpunim të ngushtë dhe monitorohet nga NATO.

Ata kanë partneritet dhe tashmë janë pjesë e stërvitjeve të ndryshme ndërkombëtare dhe mendoj se krijimi i Forcave Speciale duhet të jetë në një formë e miratuar dhe nga forcat amerikane dhe forcat e tjera ndërkombëtare, nga ato shtete të cilët me të vërtetë duan që FSK-ja të integrohet fillimisht is anëtare e Partneritetit për Paqe dhe më vonë si anëtare me të drejta të barabarta në NATO.

Besoj se kjo forcë (FS të ushtrisë) ka ardhur koha që të krijohen në nivel minimalisht batalioni, pasi rreziqet dhe kërcënimet e sotme asimetrike, të terrorizmit dhe jo vetëm janë shtuar ndjeshëm kudo në rajon dhe në botë.

Tashmë shqiptarët e kanë traditën luftarake në vetë luftërat e popullit tonë për liri dhe pavarësi dhe nuk besoj se do të jetë e vështirë në këtë aspekt.

Sa për anën teknike, sigurisht që nuk mund të jap detaje lidhur me vetë konfidencilitetin që lidhet me këtë proces.

Por e përsëris është e mundur dhe me një kohë relativisht të shkurtër (jo më shumë se një vit).

Ballkani duket se është nxehur, ndryshe nga disa vite më parë, është kjo një periudhë e mirë apo e keqe për shqiptarët në përgjithësi?
Mendoj se është një periudhë ose një nga periudhat më të mira të shqiptarëve në rajon.

Kemi dy shtete shqiptare që janë duke u konsoliduar fuqishëm, Shqipëria dhe Kosova, tashmë jemi bërë faktor i fuqishëm dhe në FYROM ku pa u marrë në konsideratë dhe pa bashkëpunim të ngushtë me faktorin shqiptar nuk mund të krijohet më një qeveri solide.

Dua të theksoj që mbështetja shqiptare i kalon kufijtë e rajonit dhe shqiptaria bëhet një çështje ndër rajonale kur mendon edhe numrin e madh të shqiptareve që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve mëmë, veçanërisht fuqinë e jashtëzakonshme të diasporës shqiptare në SHBA.

Gjej rastin ti bëj thirrje popullit dhe politikës së Kosovës, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të përdorin të gjitha kanalet diplomatike, për të demaskuar këto provokime dhe incidente të shëmtuara.

Njëkohësisht Forcave Speciale të Kosovës i sygjeroj që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë, të mos harrojnë incidentin e datës 25 Korrik 2011 ku një koleg/hero u vra nga distanca, të vlerësojnë me kujdes situatën, kushtet, terrenin, të kenë në çdo moment gati planet e të papriturave dhe të jenë të gatshëm të mbrojnë kufirin, rendin kushtetues por dhe veten e tyre.

Jam më se i sigurtë se herën tjetër sërbet do të ndërrojnë taktikë dhe më lejoni t’ju sjell në vëmendje se vendosja (dislokimi) i trupave të xhandarmarisë në veri-lindje të Kosovës, është vetëm një taktikë çoroditjeje, pasi qëllimi i vërtetë i tyre është pjesa veriore.

Unë jam dhe do të mbetem ushtar besnik i Atdheut tim, pasi këtë betim e kam dhënë që 14 vjeç në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe do të jem gati të jap kontributin tim sado modest por dhe shokëve të mi, për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke shqiptare po të jetë nevoja.

Nga raportime të ndryshme vërehet një rritje e prezencës forcave serbe në kufirin me Kosovën, çfarë synojnë ata dhe si janë vendosur?

Sërbia për momentin i ka pozicionuar forcat në këtë pjesë kufitare, në bazën e saj ushtarake në Jug në Cepotin, 5 km nga Bujanovci. Ky dislokim i forcave i para dy ditëve është vetëm një mashtrim për tërheqje vëmendje, sepse vëmëndja e tyre kryesore është pjesa veriore.

Brigada e Xhandarmarisë sërbe përbëhet nga 4 Batalione. Batalioni katërt përbëhet nga 600 pjestarë të forcave Kobra, njësive anti-terroriste dhe elitës policore. Këto forca ruajnë dhe patrullojnë kufirin. Patrullimet realizohen me nga 4 pjesëtarë të armatosur me:
2 persona AK-47 model i përmirësuar Serb.
1 Automatik/mitroloz M-84 (prodhin serb) 7.62 x 54 mm.
1 sniper Crna Strela 12.7 mm (prodhin serb) ose M 76 7,92 x 57 mm

Përse pikërisht në këtë zonë?
Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të bjeshkës së Kopaonikut (pasuritë nëntokësore, pikë strategjike Telekomunikacioni, etj), kërkesave të Serbisë për ndryshimin e kufirit, qasjen e ndryshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën Veriore dhe atyre në brendësi të Republikës së Kosovës, në prapavijë qëllimi i Serbisë është ndryshimi i vijës kufitare.

Kur ka ndonjë interes strategjik Serbia nuk lëshon pe lehtë. Në mënyrë të heshtur në prapavijë, pa e shpreh qëllimin e vërtetë do të vazhdojë të tentojë të përfitojë.

Në vitin 2007 Shefi i Shtabit të ushtrisë Serbe Gjenerali Ponosh, ka vizituar SHBA-të dhe aty ka bërë kërkesën që maja e Kopaonikut ti takojë Serbisë.
Në Kopaonik Këtu ka qenë i vendosur Radari me rreze të mesme 400km. Është caku i parë i shkatërruar nga NATO në vitin 1999.

Është shkatërruar vetëm kupola e radarit, sepse me ashensor ishte futur thellë në tokë. ( Informacion i marrë i marrë nga një oficer serb që ka qëndruar në këtë qëndër Telekomunikuese.)

Para pak javësh kërkesa e Sërbisë për kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës për kontrollin e qarkullimit të aviacionit civil, është refuzuzar nga NATO, nuk është lejuar aktivizimi i këtij radari.( Shkak ka qënë kontesti kufitar mes Sërbisë dhe Kosovës për Kopaonikun).

Sërbët nuk kanë hequr dorë nga kjo ide sepse Kontrolli i hapësirës ajrore të Kosovës në vit mundëson rreth 13 milionë euro.

Serbët kanë bërë planet që në bjeshkën Besna Kobila afër Vranjës të ndërtojnë një bazë radarësh.

Në pjesën veriore të Kosovës jetojnë shumë pak serbë. Ata refuzojnë regjistrimin, sepse dalin më pak se 30.000. Në qytetin e Mitrovicës ndodhet një universitet i cili frekuentohet nga studentë nga sërbia sepse diplomat merren shumë lehtë.
Aty ndodhen edhe rreth 7.000 rrefugjatë nga pjesët jugore të Kosovës. Këto kategori krijojnë përshtypjen se në Mitrovicën veriore jetojnë shumë serbë. Qyteti më i afërt në Serbi nga Mitrovica është qyteti Kraljevas rreth 150 km, i cili është qytet në “zhdukje”.

Në pjesën e Gjilanit, Novobrdos, Kamenicës, Vitisë, Lipjanit, Prishtinës dhe Shterpcës etj jetojnë më tepër sesa 100.000 serb, por Serbia nuk shqetësohet shumë për ta.

Këto ditë Serbia i ka shtuar forcat në kufirin e Kosovës në pjesën e Gjilanit, Vitisë, Kamenicës. Podujevës. Ky është vetëm një mashtrim dhe tërheqje vëmendje, sepse objektivi i tyre është marrja nën kontroll e veriut të Kosovës.

Ky vendim mbështetet dhe nga deklarata e Ministrit të Jashtëm Rus Sergei Lavrov dje, i cili deklaron se “atje ku ka popullsi sërbe nuk duhet të ketë prezencë shqiptarësh”, pra haptazi pasi dështuan në zgjedhjet e Malit të Zi, në Kroaci, Bosnje, në bashkëpunim me Serbët po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të territoreve dhe të influencës sërbe në rajonin e Ballkanit.

Në figurën më sipër ana e djathtë e rrugës për në Leposaviq është e banuar me shqiptarë, deri në kilometrin e 13-të nga Mitrovica. Pika më strategjike është Ravna Gora, afër fshatit Ceraj.
Që nga Perandoria Osmane, Lufta e dytë Botërore në këtë vend ka pasur stacionim të ushtarëve.
Veriu, Leposaviqi është në pëllëmbë të dorës, si dhe rruga për Leposaviq kontrollohet nga ketu. Në prapavijë është një rrugë alternative e paasfaltuar, por e kalueshme (kryeministri Isa Mustafa kaloj nga kjo rrugë në përurimin e një rruge pasi që në km e parë ishte bllokuar nga serbët).

Policia kosovare duhet të marrë parasysh se nëse nuk bllokohen në km e parë, patjetër një pjesë të forcave duhet që ta dërgojnë në Ravnagore dhe në drejtim të Leposaviqit në mënyrë që të përparojnë ngadalë duke e pasur prapavijën e sigurtë.
Jam shumë i sigurtë se në situatë krize, serbët do të zbarkojnë në Ravnagora, nga ku do të kenë të gjithë kontrollin e rrugës që nga Mitrovica.