Ramush Haradinaj para gjykatës, pritet lirimi i tij

Ka nisur seanca degjimore ne Gjykaten e Colmerit në Francë ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.Lajmin e ka konfirmuar avokati i Haradinaj, Arianit Koci.

Pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar lirimin me kusht të tij, deri në përfundimin e procedurave.

Ministria e Drejtësisë në Serbi i ka dorëzuar të martën organeve të drejtësisë në Francë kërkesën për ekstradim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me kërkesën për ekstradim organeve franceze të drejtësisë i është dorëzuar edhe dokumentacioni përcjellës i përkthyer në gjuhën frënge në bazë të të cilit “drejtësia franceze do të vendos nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat për ekstradim të Haradinajt në Serbi”.

Sakaq një ditë më parë mediat serbe raportuan se Prokuroria e Krimeve të Luftës i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë urdhëresën për zgjerimin e aktakuzës kundër Ramush Haradinajt me prova të reja.

Urdhëresa do të përkthehet deri në fund të kësaj jave dhe do të dërgohet në Francë lidhur me një vendim për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.