Raporti sekret i CIA’s: Si i frikoheshin serbët shtimit të shqiptarëve

Shërbimi sekret amerikan CIA së fundi ka publikuar rreth 13 milionë faqe, dokumente që më parë kishin qenë të klasifikuara si Top Sekret. Në mesin e tyre janë publikuar edhe dokumente për shqiptarët në ish Jugosllavi, kryesisht për Kosovën, ku tregohet për rritjen e numrit të shqiptarëve, nga viti 1921 që përbënin vetëm 3.7% të popullsisë së përgjithshme, në 8% në vitin 1981.

Në dokumentin e CIA’s, i vitit 1985, thuhet se shqiptarët e Jugosllavisë janë 1.9 milion dhe janë minoriteti më i madh jo-sllav, të cilët jetojnë në disa regjione kryesisht në kufi me Shqipërinë, shkruan gazetametro.net.

“Rreth 70% jetojnë në provincën autonome të Serbisë e quajtur Kosovë. Pjesa tjetër jetojnë në Maqedoni, Mal të zi dhe në pjesë të tjera të Serbisë”.

CIA në këtë dokumet thotë se shqiptarët kanë natalitetin më të madh në Europë.

“Shifrat e rritjes së popullatës shqiptare janë të mëdha me kalimin e viteve. Me rritjen më të madhe të natalitetit në Europë, shqiptarët kanë arritur nga 3.7% e krejt popullatës Jugosllave në vitin 1921, në 8% në vitin 1981, dhe kjo tregon një rritje të madhe”.

Zhvendosja demografike në favor të shqiptarëve në Kosovë sipas CIA’s, ka ndodhur në vitin 1966, kur Tito e ka rrëzuar nga pushteti shefin e tij ekstremist serbë të sigurisë, Aleksandar Rankovic, shkruan gazetametro.net.

“Përqindja e shqiptarëve në Kosovë nga 67% në vitin 1961, u rrit në 77.4% në vitin 1981”.

Rritja e popullsisë shqiptare dhe zvogëlimi i asaj serbe

CIA gjithashtu po parashihte edhe vazhdimin e rritjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, dhe zvogëlimin e asaj serbe.

“Në vitin 1991, shqiptarët do të rriten me përqindje të lartë nga 80% deri në 84%, me ç’rast popullsia serbe do të bie në 8% deri në 12%. Këto statistika do të varen nga nataliteti dhe emigrimi i serbëve dhe malazezëve”.

CIA, gjithashtu parashihte se shqiptarët në Kosovë deri në vitin 2000 do të arrinin të shtoheshin në 2.5 milionë.

Përpos ndryshimeve demografike, sipas CIA’s, shqiptarët kanë pasur një histori të përzier në sigurimin e përfaqësimit politik.

“Progresi më i madh është shënuar në Kosovë. Në Kosovë, pas trazirave të vitit 1981 shqiptarët kanë arritur të përmbysin serbët me dekada në aparatin politik. Shqiptarët përbëjnë 77% të Kuvendit të Kosovës dhe 80% në delegacioneve të Kosovës në kuvendet jugosllave në një raport të shfaqur nga serbët në vitin 1982”.

Shqiptarët me moshën më të re në ish Jugosllavi

CIA në këtë raport thotë se shqiptarët llogariten si populli me rininë më të madhe në Jugosllavi, ku në vitin 1981, dy të tretat e popullatës janë nën moshën 30 vjeçare.

Një gazetë serbe, sipas raportit të CIA’s, ka shkruajtur në muajin maj se rritje e popullsisë shqiptare është një problem që nuk mund të kalohet si dhe ka thënë që “shqiptarët nacionalist përkrahin lindjen e më shumë fëmijëve”.

Demonstratat e vitit 1981

Trazirat e vitit 1981 CIA thotë se u zhvilluan në një kohë kur 300,000 shqiptarë kishin arritur moshë të re, 15-24 vjeçare. Trazirat sipas CIA’s erdhën edhe si pasojë e asaj se papunësia ishte shumë e lartë, sidomos te të rinjtë.

CIA në atë kohë gjithashtu kishte paraparë, se ndryshimet demografike të Jugosllavisë do të shkaktojnë një disbalancë dhe tension në fushën e minoriteteve, politikës dhe ekonomisë.