RDK-UNITETI garon në katër komuna, PPD-ja në gjashtë

Partia RDK dhe UNITETI, të cilat thirren në emër të koalicionit “Aleanca për shqiptarët”, kanë vendosur të garojnë gjithsej në katër komuna, raporton medial.mk.

Në bazë të dhënave zyrtare të cilat i ka siguruar Medial.mk, ky koalicion do të garojë në Çair, Kumanovë, Dibër dhe Gostivar, ku në dy komunat e para do të ketë vetëm listën e këshilltarëve komunal. Në Çair listës do t’i prijë Orhan Loku, ndërsa në Kumanovë Xhavide Zymberi –Ebibi.

Në Dibër UNITETI dhe RDK do të garojnë edhe me kandidatin për kryetarë të komunës dhe më listën e këshilltarëve komunal. Shkëlqim Xhafa do të jetë aduti kryesor i UNITETI-t dhe i RDK-së në Komunën e Dibrës, ndërsa Munire Dumani bartëse e listës.

Në Gostivar RDK-UNITETI do të garojnë me Shpat Iseini për kryetarë të komunës, ndërsa Luljeta Aziri do t’i prijë listës së këshilltarëve.

Kurse PPD edhe pse vetëm një muaj që kanë fituar të drejtën nga gjykata për ta marrë pronësinë e partisë nga ana e kryetarit aktual Faton Aliti, me shpejtësi kanë arrit që të konsolidohen në gjashtë komuna, përcjellë medial.mk.

PPD vetëm në Bogovinë do të paraqitet me kandidat për kryetarë të Komunës, ku do të garoj ish kreu i kësaj komune dhe profesori Universitar Vebi Xhemaili.

PPD-ja lista për këshilltarë komunalë do të nxjerrin edhe në Likovë, ku bartës do të jetë Menduh Jashari, në Studeniçan listës do t’i prijë Jusuf Aliu inxhinier, në Gazi Babë bartës i listës do të jetë Adem Isra, në Zhelinë PPD-ja dy pozicionet e para i ka rezervuar për gjininë femërore, edhe atë për Ermira Rexhepin (profesoreshë), dhe Sara Kadriji (mjeke), kurse në Tetovë listës do t’i prijë juristi Shpend Murati.