Reagim zyrtar nga Departamenti Amerikan, Toner: E përkrahim punën e Bejlit

“Stejt Departamenti Amerikan e përkrah punën e ambasadorit Xhes Bejli”, thuhet në përgjigjen e ushtruesit të detyrës, zëdhënës i Stejt Departamentit të SHBA-së, Mark Toner, në pyetjen e “Zërit të Amerikës” në gjuhën maqedonase, pas spekulimeve në disa media se Ambasada në Shkup nuk flet në emër të administratës së SHBA-së.

Toner thotë se nuk ka ndryshim të politikës amerikane ndaj Maqedonisë.

“Politika amerikane në Maqedoni e përkrah integrimin euro-atlantik të shtetit dhe reformat e nevojshme për zhvillim në atë drejtim. Ajo i përfshinë edhe reformat, sundimin e ligjit dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës”, thotë Toner.

Ai konfirmon se drejtimet e ambasadorit Bejli dhe ekipit të tij janë “të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të SHBA-së”.

Ai shtoi se Stejt Departamenti Amerikan ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin e Maqedonisë. Toner gjithashtu shtoi se SHBA si mik i Maqedonisë fuqishëm i inkurajon të gjitha palët që ta respektojnë sundimin e së drejtës, proceset demokratike dhe obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë.

“Ne duam ta shohim Maqedoninë e fuqishme, në rrugën drejt rrugës  euro-atlantike”, tha Toner.

Reagimi i Stejt Departamentit Amerikan vjen një ditë pasi dje mediat proqeveritare në Maqedoni plasuan një kronikë, ku sipas së cilës, disa republikanë të Kongresit Amerikan e kanë akuzuar ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, për anim politik dhe të njëjtët kanë kërkuar shkarkimin e tij.