Reagon PDSH: Nuk jemi pjesë e ”marrëveshjes së manipulimit”

Ish-deputeti dhe anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Ernad Fejzullahu ka reaguar në lidhje me platformën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni. Fejzullahu thotë se “kjo marrëveshje paraqet manipulim”, sepse e vërteta e plotë, sipas këtij subjekti, do të ishte që kjo të quhej “marrëveshje e disa partive politike”.

“Mos emërimi i saktë se kjo ‘marrëveshje’ është e disa subjekteve politike shqiptare, këtu në Maqedoni, nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, që në fillim tentohet të eliminohet zëri opozitar duke riinstaluar totalitarizmin dhe marrjen e të drejtës se ‘e vërteta dhe vetë kombi janë ata’. Të eliminosh opozitën, aq më tepër duke marrë parasysh se në Maqedoni ekziston një opozitë e konsoliduar etnike shqiptare – thënë butë – është të eliminosh parimet bazë të demokracisë liberale, kurse – thënë realisht – përbën sulm mbi vlerat kombëtare. Është fakt se Partia Demokratike Shqiptare nuk është pjesë e kësaj, siç e quajnë disa ‘akt historik i shqiptarëve’ e që në të vërtetë do të jetë një parodi e radhës për shqiptarët.

“Në këtë mashtrim të radhës që po bëhet në kurriz të shqiptarëve në Maqedoni, në mënyrë direkte – fatkeqësisht – u involvuan segmente të caktuara të shtetit shqiptar”, thuhet në reagimin e ish-deputetit dhe anëtarit të Kryesisë Qendrore në PDSH, Ernad Fejzullahu.