Reagon Shkupi zyrtar, pas deklaratës së Kongresmenit Rohrabacher për ndarje të Maqedonisë

Ministria e Jashtme e  Maqedonisë përmes ambasadës së saj në Uashington në rrugë zyrtare kërkoi sot qëndrim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për deklaratat e kongresmenit amerikan Dana Rohrabacher në intervistën e “Vizion Plus” nga Tirana.

Kongresmeni është anëtar i Komitetit për politikë të jashtme dhe kryetar i Nënkomitetit për çështjet evropiane. “Qëndrimet e tij të shprehura shkaktojnë shqetësim të madh rreth Maqedonisë dhe rajonit. Të njejtat nxisin edhe retorikë nacionaliste tek fqinjët, duke na kthyer në të kaluarën.”, thuhet në reagimin e MPJ.

Nga kjo ministri kërkohet që Departamenti i Shtetit në mënyrë të duhur të shmang çdo dilemë rreth qëndrimeve të shprehura dhe të shprehë afirmimin e politikave të saj për Maqedoninë dhe Ballkanin.