Real Madrid thyen rekordin e Barcelonës

Reali i Madridit barazoi 3-3 ndaj Seviljes në “Sanchez Pizjuan”, rezultat që e kaloi në çerekfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë, por jo vetëm kaq.

Me këtë rezultat, madrilenët kanë barazuar serinë e 40 ndeshjeve radhazi pa humbje të Nottingham Forest, seri që është shënuar në vitin 1978. Ndërsa, kanë thyer rekordin spanjoll që e mbante Barcelona, me 39 ndeshje radhazi pa humbje.

Skuadra e Zidane ka fituar 30 ndeshje dhe ka barazuar 10 deri tani. Sfida e radhës janë 43 ndeshjet pa humbje të Juventusit.

Steaua e Bukureshtit, 106 ndeshje radhazi pa humbje

Steaua e Bukureshtit shënoi plot 106 ndeshje radhazi pa humbje në vitet ’80, në periudhën e artë të klubit rumun që në atë kohë u drejtua nga Emeric Jenei dhe Anghel Iordanescu. Fitues i Ligës së Kampioneve në sezonin 1985-1986, gjysmëfinalist në sezonin 1987-1988 dhe nënkampion në sezonin 1988-1989, Steaua shënoi epokë me futbollistë si Miodrag Belodedici, Laszlo Boloni, Marius Lacatus, Victor Piturca dhe Gavril Balint.

Steaua fitoi gjithashtu 5 tituj kampion radhazi, derisa Dinamo e Bukureshtit i mundi në sezonin 1989-1990.