Regjisori shqiptar nga Maqedonia Izer Aliu vlerësohet me çmimin që konsiderohet “Oscar” norvegjez

.Çmimi prestigjioz i kinematografisë norvegjeze nuk e konfirmon vetëm kualitetin e filmit “Hunting Flies” të regjisorit shqiptar, i cili jeton në Norvegji, Izer Aliu, por ia lehtëson atij realizimin e projekteve të ardhshme filmike.

Kësisoj thotë vetë regjisori, i cili të shtunën mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Amanda Awards”, mori trofeun me mbishkrimin: “regjisori më i mirë”. Aliu ishte në garë me dy regjisorë të njohur norvegjezë, Erik Poppe me filmin “The King’s Choice” dhe Kim Hiorthoy me “The Rules for Everything”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Amanda Awards” ndryshe njihet edhe si “Oscari norvegjez”, ndërsa për Aliun kjo është hera e dytë që merr një çmim të kësaj ceremonie. Në vitin 2012, ai ishte shpërblyer me çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, “To Guard a Mountain”.

Këtë vit, me filmin e metrazhit të gjatë “Hunting Flies” ka qenë i nominuar për dy çmime: për regjinë dhe skenarin më të mirë.