Regjistrohen në minutën e fundit koalicionet politike në Kosovë 

Në minutat e fundit të afatit për regjistrim të koalicioneve, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje koalicioni me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt. Marrëveshja parasheh që kandidat për kryeministër ta ketë liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, ndërkohë që bartës i listës zgjedhore do të jetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Koalicioni i sotëm ka qenë një zgjidhje e imponuar, e kemi pasur të rëndësishme që njëra nga partive politike të rreshtohet prapa kandidaturës së Ramush Haradinajt për kryeministër të vendit. Kjo nënkupton që AAK do ta drejtojë qeverinë e ardhshme dhe të tjerë që janë bashkuar pas tij – tha Muharrem Nitaj, AAK.

Një zëvendëskryeministër të jetë nga Nisma dhe ka qenë kërkesë nga Nisma që AAK-ja dhe PDK-ja të mos nxjerrin kandidat nga Malisheva, bastionin e Nismës, pasi duam aty të kandidojmë me kandidatët e Nismas tha Bilall Sherifi, Nisma.

Ndërkaq, LDK-ja e Isa Mustafës, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me AKR-në e Behgjet Pacollit. Sipas marrëveshjes LDK-ja do të duhet të ndajë me AKR-në, postin e Kryetarit të Parlamentit, ndërkohë që në marrëveshje përfshihet gjithashtu zgjedhje e Pacollit President, pas përfundimit të mandatit të Thaçit.

Nuk është një koalicion që është bërë për një ditë, ne kemi punuar gjatë dhe kemi studiuar gjatë të gjitha aspektet e bashkëpunimit, jemi bindur se mund të bashkëpunojmë, jemi bindur se mund të arrijmë rezultate – tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Ne do t’i fitojmë zgjedhjet dhe me këtë fiton e mira, do të parandalohet e keqja. Kosova do të ndryshojë, do të vihet në binarë të duhur dhe do të ecë me një shpejtësi të përshpejtuar drejt perspektivës euroatlantike, drejt një perspektive për qytetarët e vet, për rininë e vet – tha Bexhet Pacolli, kryetar i AKR-së.

Partia që do të garojë e vetme në zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk ka arritur të bëjë një koalicion parazgjedhor përkundër bisedave intensivet zhvilluara gjatë ditëve të kaluara. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, sipas njoftimeve të KQZ-së do të garojnë 56 subjekte politike nga të cilat 28 janë shqiptare dhe te tjerat nga komunitetet e pakicës.

Sipas shënimeve zyrtare, Kosova ka afro 1.9 milionë votues dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të nis nga data, 29 maj dhe të mbyllet më 9 qershor.

Vjollca Aliti