REICHEL: URIME UKRAINË PËR VIZAT, KOSOVA E PAAFTË T’I PËRMBUSHË KRITERET

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot një rregullore rreth liberalizimit të vizave për shtetasit e Ukrainës të cilët do të mund të udhëtojnë në territorin e BE-së për një periudhë qëndrimi 90 ditëshe gjatë 180 ditëve.

Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, tash ambasador në Ukrainë, uroi shtetasit e Ukrainës për këtë vendim, por u shpreh i mllefosur për bllokadën në Kosovë.

“Urime Ukrainë, Urime Europë! BE mori vendimin final për liberalizimin e vizave. U kry”, shkroi ambasadori Reichel në profilin e tij në Facebook.

“Në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar se është e paaftë për t’i përmbushur kushtet. Në vend të kësaj, ka zgjedhje të parakohshme. S’kam koment”, tha diplomati Reichel.

Qeveria e Kosovës nuk arriti që ta përmbushë kushtin e fundit për liberalizimin e vizave, e që është miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Në vend të kësaj, Kuvendi zgjodhi që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.