Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti: Shën Tereza nga Shkupi – kulti modern i mishërimit të të gjitha vlerave universale njerëzore

Nëna Terezë është njëra ndër figurat më të shquara botërore, në të cilën janë mishëruar vlerat më të larta njerëzore si: dhembshuria, dashuria, sakrifica, virtyti dhe humanizmi, prandaj dhe ajo është laureuar me çmimin më të lartë, që ndahet në nivel botëror: Çmimin Nobël për Paqe dhe së fundmi, për vetëmohimin e saj të përjetshëm në të mirë të njerëzimit, nga Selia e Shenjtë u shpall shenjtore dhe hyn në histori si shenjtorja e parë me prejardhje shqiptare. Megjithatë, autorë të ndryshëm, figura politike dhe fetare, duke pasur qëllime tedencioze në shërbim të politikave ditore, rrymave ekstremiste dhe populiste, mëtojnë që figurën e Nënës Terezë ta përbaltin në forma të ndryshme, duke mohuar origjinën e saj, apo duke shtrembëruar edhe thëniet e saj me karakter universal, por edhe veprat e saj të gjithëmbarshme në të mirë të njerëzimit, që gjithmonë kanë synuar krijimin e paqes së përhershme, mbjelljen e dashurisë në nivel global dhe tolerancës, si premisë të vetme të hapërimit të njerëzimit drejt shmangies së urrejtjes, konflikteve dhe luftërave makabre. Në premisat e këtilla, rezulton edhe synimi i këtij punimi, që në bazë të të dhënave faktive të autorëve të ndryshëm vendorë dhe botërorë të hidhet dritë mbi origjinën e Nënës Terezë, jetës dhe veprës së saj, me të cilën sot krenohet e mbarë bota dhe që duhet të krenohet çdo shqiptar, pavarësisht se kujt feje i takon, sepse kulti dhe vepra e Nënës Terezë janë poliedrike dhe shumëdimensionale, duke pasur parasysh faktin se emëruesi i përbashkët i të gjitha feve të botës është dashuria, mëshirimi për tjetrin, paqja dhe toleranca.

Origjina shqiptare e Nënës Terezë
Për jetën dhe veprën e Nënës Terezë janë shkruar shumë libra, megjithatë njëra ndër monografitë më të mira, të cilën e kam lexuar unë, është Nëna Terezë, histori magjepsëse, e atit Leo Maasburg, të përkthyer në gjuhën shqipe nga profesori ynë dhe përkthyesi i njohur nga gjuha gjermane, Arbër Çeliku dhe të botuar në vitin 2010 nga Shtëpia përkujtimore e Nënës Terezë në Shkup. Pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, ai i ka përmbledhur në këtë vëllim libri të gjitha historitë e përjetuara përkrah saj.
Mbi Nënën Terezë janë shkruar dhe do të shkruhen shumë libra, por ajo që e bën të veçantë librin që e kemi përpara, është vetë autori. Ati Leo, siç e quante vetë edhe Nëna Terezë, ka qenë prifti personal i saj për shumë vite me radhë, por jo vetëm kaq, ai ka qenë edhe shoferi i saj, shërbyesi i saj, shoqëruesi i saj në shumë misione të rrezikshme, si në Rusi, Ermeni, Kubë dhe Venezuelë, gjë që e ka bërë njërin ndër njerëzit më të afërt të Nënës Terezë. Nga kjo afërsi kanë lindur këto histori, të cilat autori i shpalos në 23 kapitujt e këtij libri. Secila nga historitë e përshkruara në këtë libër, është një perlë më vete në mozaikun e pafund të mënyrës së jetesës dhe bëmave të bamirësisë të Nënës Terezë. Këto janë historitë e një njeriu, i cili një pjesë të mirë të jetës së tij e ka kaluar në prani të Nënës Terezë dhe secila fjalë, secili varg në këtë libër, është dëshmi e një autenticiteti sa modest aq edhe joshës.
Leo Masburg na ofron shumë fragmente interesante nga jeta e Nënës Terezë, aty mësojmë për fëmijërinë e saj, për fatin e familjes së saj: “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu rridhte nga një familje katolike me prejardhje shqiptare. Babai i saj, Nikollë (Kolë) Bojaxhiu, me origjinë ishte nga Prizreni dhe që nga viti 1900 jetonte në Shkup. Këtu ai punonte si farmacist, pastaj si arkitekt, derisa u fut në biznesin e ndërtimtarisë të një miku të tij. Nëna e saj Drana kishte qenë 16 vjeçe kur ishte martuar, 18 vjet më e re se burri i saj. Në vitin 1905 lindi fëmija i tyre i parë, vajza Age, tre vjet më vonë djali i tyre, Lazari, kurse pas dy vjetësh, më 26 gusht 1910, lindi vajza e tyre e dytë, Anjeza.” (fq. 91)
Më tej në libër, mësojmë për ndjenjën dhe veprimtarinë patriotike të babait të Nënës Terezë, i cili angazhimin e tij për çështjen kombëtare e paguan me jetën e vet dhe me rrënimin e familjes së tij. Ja si e përshkruan autori këtë moment: “Kolë Bojaxhiu kishte shfaqur interesim për çështjet politike, angazhohej për të drejtat e shqiptarëve dhe u bë anëtar i Këshillit të qytetit. Në vitin 1919 ai u kthye me dhimbje të tmerrshme barku nga një mbledhje në Beograd, u shtrua në një spital të Shkupit, ku dhe vdiq disa orë më vonë” (po aty). Gjithçka më pas ka pasur pasoja fatale për familjen Bojaxhiu, të ndodhur në mes të katër rrugëve, Anjeza e braktis shtëpinë në moshë të njomë, që si motra Tereza t’i bashkohej misionit në familjen e murgeshave Loreto, kurse nëna dhe motra e saj më e madhe e braktisin Shkupin dhe shpërngulen në Tiranë. Por, Shqipëria komuniste nuk ia lejoi kurrë Nënës Terezë që t’i vizitonte ato për së gjalli. I gjithë libri përshkohet me histori të tilla të zakonshme, ashtu siç ka qenë e zakonshme edhe vetë jeta dhe vepra e Nënës Terezë. Këtu qëndron edhe mjeshtëria e autorit, ai nuk di të zbukurojë, të hiperbolizojë, por rrëfen me shumë modesti për jetën e Nënës Terezë, ashtu siç e ka jetuar ajo në realitet. Ai na rrëfen për këtë grua të veçantë, por jo si shenjtore, ashtu siç e njeh e gjithë bota, përkundrazi, Nënën Terezë ne arrijmë ta njohim si një grua normale me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj, një grua që e kishte sprovuar aq shumë jeta, sa dinte kur duhej të ishte e sjellshme dhe e mirë ndaj të tjerëve, por ama dinte edhe kur duhej të ishte e paepur dhe inatçore.
E sjellshme dhe e mirë ajo ishte gjithmonë ndaj “varfanjakëve të më varfanjakëve”, ndaj të sëmurëve leprozë, ndaj fëmijëve jetimë, por kur kishte të bënte me politikanë dhe burrështetas diktatorë, ajo dinte të shfaqte vërtetë një kryeneçësi të pashoq, kur duhej të arrinte një qëllim fisnik, siç ishte ngritja e një rezidence murgjish apo murgeshash, dhe nuk kishte rëndësi nëse ishte regjimi i Gorbaçovit, Kastros apo Daniel Ortegës. Të gjithë stepeshin përpara personalitetit ngulmues të saj dhe në fund lëshonin pe, bëhej ashtu siç kërkonte Nëna Terezë. Megjithatë, të gjitha përpjekjeve, për ta përbaltur prejardhjen shqiptare të Nënës Terezë nga figura, autorë dhe asociacione të ndryshme, kryesisht nga rajoni i Ballkanit, të cilat u shërbejnë politikave ditore, përgjigjen më të mirë do ta gjejnë te vetë fjalët e Nënës Terezë: “Kam lindur shqiptare, ndërsa sot jam shtetase e Indisë. Gjithashtu jam një murgeshë katolike. Sa i përket punës time, i përkas mbarë botës, por në zemrën time i përkas vetëm Krishtit” (Leo Maasburg 2010:8).

“Krishti” si mishërim i vlerave universale
Botërisht është e njohur se të gjitha fetë e botës emëruesin e përbashkët të tyre e kanë humanizmin, që do të thotë se ato janë në shërbim të njerëzimit, duke promovuar gjithmonë vlerat më supreme njerëzore siç janë dashuria, paqja dhe toleranca. Megjithatë, radikalizimi fetar, i cili ka marrë një hov të madh këto dy dekadat e fundit, i pranishëm edhe në radhët tona, për qëllime të ulëta, mëton të hedhë hije të zezë edhe mbi figurat më të dalluara, që na ngrenë si komb, siç është figura e Nënës Terezë. Ta përbaltësh figurën e një kulti të këtillë të dashurisë, paqes dhe tolerancës, vetëm sepse ky kult i përket një besimi tjetër nga i yni, nuk përbën asgjë tjetër, pos një mbingarkesë injorance, që të shpie drejt urrejtjes dhe izolimit dhe që, mbi të gjitha, u shërben politikave të kamotshme sllave për përçarjen e shqiptarëve dhe sundimit më të lehtë tonin. Shqiptarët janë i vetmi popull në botë me tri përkatësi fetare, por që kurrë nuk kanë lejuar që fetë të jenë strumbullari përçarës dhe vëllavrasës, ashtu siç kanë vepruar historikisht popujt më të mëdhenj evropianë si gjermanët dhe britanikët, të cilëve iu desh shekuj derisa sa të arrijnë në një demokraci reprezentative, e cila i sheshoi përfundimisht të gjitha ndasitë fetare dhe kombëtare.

Ta etiketosh një femër, e cila me gjithë qenien e saj i ka shërbyer njerëzimit, vetëm sepse ajo i përket një besimi tjetër dhe pohon se “i përket vetëm Krishtit” është një akt burracakërie, një akt i shëmtuar i cili mohon civilizimin botëror dhe, pos tjerave, mohon vetveten. Krishti nuk i përket vetëm krishterimit, por ai na përket edhe neve myslimanëve, Hazreti Isa, njëjtë si Nëna Terezë, e cila me të drejtë e quan veten bija e tij, është simboli i dashurisë, sakrificës, paqes dhe tolerancës. Ai qëndron mbi fenë, është një vlerë universale me karakter shumëdimensional, përmes shenjtërisë së tij transmetohet vlerat e përgjithshme humane, të cilat kanë qenë dhe do të mbeten pararojë e ekzistencës tonë.

Kulti i Nënës Terezë, që e bën atë të pavdekshme

Emri i Nënës Terezë, në sajë të bëmave të saj në shërbim të njerëzimit, sot është kthyer në një kult në mbarë botën, prandaj edhe që nga vitet 60-ta të shekullit të kaluar, ajo është nderuar thuajse për çdo vit me një çmim të nivelit të lartë si: Çmimi prestigjioz Albert-Schweitzer, me Urdhrin e Nderit të Britanisë së Madhe, Shtetësinë e nderit të Republikës së Shqipërisë, më shumë tituj doktor nderi në Uashington, Nju Delhi, Kembrixh, Romë dhe së fundmi edhe me Çmimin Nobël për Paqe në Oslo. Të gjitha këto çmime ajo i ka pranuar me kënaqësi, sepse së bashku me çmimin ajo ka marrë shuma të konsiderueshme parash, por këto para ajo kurrë nuk i ka përdorur për vete, por për varfanjakët, fëmijët jetimë dhe të sëmurët lebrozë. Pas marrjes së Çmimit Nobël, më 9 janar 1980 ajo do të shkruajë: “Çmimi më ka ndihmuar ta gjej rrugën për te të varfërit”.
Ajo është mbase njeriu i vetëm në botë, i cili nuk ka lënë pas asnjë pronë të vetme të patundshme në emër të saj, por në çdo skutë të botës vetëm streha misionare për varfanjakët, të uriturit, të sëmurët dhe fëmijët bonjakë, të cilat me nder dhe krenari e mbajnë emrin e Nënës Terezë dhe me përkushtim e çojnë në vend amanetin e saj, që me vepra humane t’i shërbejmë njerëzimit dhe në këtë mënyrë të jemi më afër Zotit. Kulti i Nënës Terezë nuk është krijuar as pas vdekjes së saj dhe as pas shenjtërimit të saj, por hap pas hapi gjatë gjithë jetës së saj. Shenjtërimi ishte vetëm një akt formal, sepse në sytë e njerëzve ajo gjithmonë është parë si një shenjtore, sepse askush nuk ka mundur ta flijojë veten për të mirën e njerëzimit deri në atë shkallë, sa ta mohosh vetveten dhe të mirat materiale që t’i ofron kjo jetë.
Kulti i Nënës Terezë konsiston edhe në një virtyt tjetër shumë të rëndësishëm, që është modestia. Ajo gjithmonë e ka parë veten si një njeri të thjeshtë, si gjithë të tjerët, që ka një mision të vetëm: shërbimin ndaj njerëzimit. Edhe vetë fjalët e saj e dëshmojnë këtë: “Unë jam një njeri shumë i lumtur, madje jam edhe më e lumtur se për Zotin jam një askush…” (Kolodiejchuk 2010:192). Modestia e saj duhet të na shërbejë të gjithë neve si një mësim, që të mos dehemi nga ndonjë vepër e mirë e jona e as të mos vuajmë nga prominenca, sepse gjithçka që mund të bëjmë, është vetëm një pikë në oqeanin e pafund të veprave të bamirësisë së Nënës Terezë.

Shenjtërimi i Nënës Terezë – moment krenarie dhe mirënjohje për mbarë popullin shqiptar

Shenjtërimi i Nënës Terezë, i cili u bë në një ceremoni madhështore në Selinë e Shenjtë në Vatikan më 4 shtator 2016, në praninë e dhjetëra mijë ithtarëve nga mbarë bota, pati një jehonë të madhe mediatike dhe publike, për faktin se një grua trupvogël, me prejardhje shqiptare nga Shkupi, u lartësua për bëmat e saj në të mirë të mbarë njerëzimit.
Vetë Papa Françesku e cilësoi jetën e saj si “shembullin më të mirë për dashurinë ndaj tjetrit dhe të përkushtimit hyjnor për skamnorët dhe njerëzit e shpërfillur”. Gjatë hapjes së Konferencës për nder të shenjtërimit të saj në Romë, Papa veprën e saj do ta quante si “Revolucioni i bamirësisë”, i cili me patjetër të ndiqej nga të gjithë ne. Akti i shenjtërimit të Nënës Terezë është një vlerë mbarëbotërore, sepse edhe vepra e saj ka qenë me përmasa globale, megjithatë nga prizmi im, shenjtërimi i Nënës Terezë paraqet edhe një akt të mirënjohjes së vlerave kombëtare shqiptare dhe përkon me kohën, kur ne shqiptarët më shumë se kurrë kemi nevojën e figurës së Nënës Terezë, e cila gjithsesi se duhet të shërbejë si një element bashkimi si në aspektin fetar ashtu edhe kombëtar. Ditën e 4 shtatorit, të gjithë sytë e botës ishin kthyer kah kjo ngjarje shekullore dhe pikërisht atë ditë, e gjithë bota jehonte shqip, prehej nën tingujt e mrekullueshëm të meshës në gjuhën shqipe, të kënduar nga sopranot tona Inva Mula dhe Kastriot Tusha. Dhe për çdo shqiptar, kjo është një e arritur e madhe, sepse kombi shqiptar u njoh botërisht, në çdo cep të botës, përmes figurës së Nënës Terezë, e cila nga lart, afër Zotit, e shpërbleu popullin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme, me dhuratën e njohjes në mbarë botën, që askush deri më sot nuk ka mundur ta bëjë, as në luftë dhe as në paqe.

Thëniet më të mrekullueshme të Nënës Terezë

Në këtë nënkapitull, do të sjell disa nga thëniet më të mrekullueshme të Nënës Terezë, të cilat janë tematizuar edhe në monografitë e Atit Leo dhe Don Lush Gjergjit dhe të cilat dëshmojnë më së miri për personalitetin dhe veprën e Nënës Terezë:
“Jo të gjithë nga ne mund të bëjnë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
“Nëse i gjykojmë njerëzit, atëherë nuk kemi kohë që t’i duam ata”.
“Nuk është e rëndësishme se çfarë bëjmë dhe sa shumë mund të bëjmë ne, por sa dashuri investojmë në bëmat tona”.
“Miqësia e vërtetë është një dhuratë nga Zoti”.
“Paqja fillon me një buzëqeshje”.
“Kush dhuron me kënaqësi, dhuron më së shumti”.
“Nëse ti nuk mund të ushqesh njëqind njerëz, atëherë ushqe vetëm një”.
“Vetmia dhe ndjesia se je i padëshirueshëm, janë varfëria më e madhe e njeriut”.
“Zoti nuk e ka krijuar varfërinë. Ai na ka krijuar vetëm neve”.
“Zoti na ka krijuar, që të jetojmë dhe të duam”.
“Jepja botës më të mirën që ke – nuk do të jetë mjaftueshëm. Megjithatë, vazhdo ta japësh edhe më tej më të mirën prej vetes”.
“Mos lejo dikë që ke takuar, që pas takimit me ty të mos jetë i lumtur”.
“Njerëzit janë shpesh të paparashikueshëm, jologjikë dhe egocentrikë. Thjesht, faljani atyre”.
“Nuk është e rëndësishme se çfarë themi ne, por çfarë na thotë Zoti dhe çfarë Ai dëshiron të thotë përmes nesh”.
“Unë jam vetëm një kabllo e vogël, Zoti është rryma”.
“Çdo fëmijë është dhuratë nga Zoti”.

Përfundime

Nëna Terezë ka pasur një personalitet modest, gazmor dhe të mbushur plot me dashuri dhe shpresë. Jetën e vet e ka vënë në shërbim të njerëzimit dhe për shpërblim, nuk ka kërkuar asgjë. Madje, edhe pse e detyruar ta braktisë vendlindjen për shkak të rrethanave të rënduara ekonomike pas vdekjes së atit, për të mos u kthyer më kurrë, ajo prapëseprapë i ka dhënë shumë popullit shqiptar. Ne botërisht identifikohemi me figurën e saj, njihemi si popull bamirës dhe fisnik, me vlerat më supreme të njerëzimit. Shikuar në retrospektivë, ne nuk kemi bërë shumë për Nënën Terezë, fillimisht, një familje në hall, mbase për shkak të besimit ndryshe nga i joni, e kemi lënë në mes të katër rrugëve, e cila detyrohet ta braktisë vendlindjen dhe Gonxheja e Vogël të arratiset në Kalkutë, regjimi i një diktature komuniste ia ka ndaluar asaj hyrjen në vendlindje, qoftë edhe për një ditë të vetme sa ta vizitojë varrin e nënës së vdekur.
As sot nuk i dalim zot sa duhet, por në mes të Shkupit shqiptar, kemi lejuar që ajo të përvetësohet nga të tjerët. Individualisht dhe institucionalisht ne duhet ta mbrojmë figurën e Nënës Terezë, që përmes saj ta mbrojmë dhe ruajmë vazhdimësinë e ekzistencës tonë kombëtare dhe jo vetëm sa për sy e faqe të themi se Nëna Terezë është e jona.
Ajo do të jetë e jona, kur ne emrin e saj do ta gdhendim në zemrat tona dhe nuk do të lejojmë që në mes të Shkupit të përbaltet figura e saj e ndritur nga hordhit/antpress