REUTERS SHKRUAN PËR VDEKSHMËRINË NË KOSOVË SI PASOJË E NDOTJES SË AJRIT

Ndotja e mjedisit në Kosovë mbetet një sfidë parësore, ndërsa shtohen rastet e ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, krahas ndotjes së dukshme të ajrit në Prishtinë, ekzistojnë zona të vendit ku banorët nuk mund të pijnë ujin apo edhe të lajnë rrobat. Ambasada amerikane monitoron me një paisje cilësinë e ajrit në kryeqytet.

Në Kosovë po rritet ndërgjegjësimi për nivelin e lartë të ndotjes së mjedisit, kryesisht për shkak të nxitjes së përdorimit të lëndëve djegëse.

Siç njofton agjensia e lajmeve Reuters, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme për nivelin e ulët të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ambasada amerikane ka instaluar një paisje për të monitoruar nivelin e ndotjes së ajrit.

Një studim i vitit 2013 nga Banka Botërore ka treguar se ndotja e ajrit në Kosovë është vlerësuar se shkakton 852 vdekje të parakohshme dhe 318 raste të reja të bronkitit kronik çdo vit.

Gjendja nuk është më e mirë as në shtetet tjera të Ballkanit. Sipas shifrave zyrtare, cilësia e dobët e ajrit në kryeqytetin maqedonas, Shkup, është shkaktare për vdekjen e parakohshme të 1,300 personave çdo vit.

Bosnja është në vendin e pestë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga ndotja e ajrit, me 92 vdekje për çdo 100,000 banorë. Ajo vjen pas Ukrainës, Bullgarisë, Bjellorusisë dhe Rusisë.

Pasojat e ndotjes së ajrit po ndjehen drejtpërdrejt edhe në volumin e pacientëve që trajtohen në spitalet e Kosovës.

“Vërehet një shtim i numrit të pacientëve diku rreth 20 për qind më shumë se vitin e kaluar”, ka thënë për Reuters Skender Baca, pulmolog në spitalin shtetëror.

A bus passes by coal-fired power plants in Obilic, north of capital Pristina, Kosovo, February 2, 2017. Picture taken February 2, 2017. REUTERS/Hazir Reka

Mjekët mendojnë se në shtimin e rasteve të pacientëve me probleme të tilla, ndikon edhe mënyra e jetesës.

“Vetë fakti që në Kosovë, brenda ditës harxhohen diku rreth 600 mijë Euro për duhan, ndërsa 200 mijë Euro për qumësht, tregon që ne kemi një mënyrë jetese ndryshe, mos të themi të mbrapshtë”, ka thënë Baca.

Në zona të caktuara të vendit, ndotja është e përmasave të tilla sa që banorët thonë se nuk munden të pijnë ujin apo edhe të lajnë teshat.

“Shembulli konkret janë rrobat. I pastrojnë, dhe zakonisht në fshat i ndejnë në tel. Tymi bie mbi rrobat e bardha. Është katastrofë”, thotë për Reuters Besim Sllamniku, i cili jeton afër termocentraleve.

Përfaqësuesit e Korporatës Energjitike të Kosovës thonë se janë bërë investime për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

“KEK-u bën një ndotje konstante gjatë gjithë vitit. Falë investimeve që KEK-u ka bërë vitet e fundit, një investim mbi 50 milionë Euro, dy vitet e fundit Kosova nuk i ka tejkaluar parametrat e standardit evropian. Situatë pak më e mprehtë është me termocentralin ‘Kosova B’, në të cilin është parashikuar që këtë vit të ndërrohen elektrofilat”, ka thënë për Reuters një zyrtar i kompanisë.

Megjithë këto përpjekje, Kosova vazhdon të përballet me ndotje të lartë mjedisore, ndërsa ekonomia vazhdon të bazohet tek lëndët djegëse që ndotin ajrin.