Revista “Vogue” këshillon turistët të vizitojnë Prizrenin dhe Himarën

????????????????????????????????????

Revista e njohur “Vogue” ka publikuar një artikull në të cilin këshillon turistët për 6 qytetet që ndodhen në vendet e Ballkanit për t’i vizituar gjatë vitit 2017.

Kjo revistë ka listuar gjashtë vende të Ballkanit, të cilat duhet të vizitohen patjetër gjatë vitit të ardhshëm.

Në mesin e gjashtë vendeve gjendet edhe Prizreni dhe Himara. Prizreni cilësohet nga Vogue, si qendra e kreativitetit të Kosovës, e vendosur në afërsi të Maleve të Sharrit.

“Prizreni është i pasur me arkitekturën bizantine dhe osmane. Vizitojeni gjatë muajit gusht kur qyteti mirëpret DokuFestin, festivali më i madh i filmit në Kosovë, që ka muzikë, ekspozitë të fotografive dhe shfaqjen e më shumë se 200 filmave”, shkruan Vogue.

Vogue këshillon turistët që të blejnë aksesorë filigrani në Prizren dhe të shijojnë qebapët e këtij qyteti. Në listën e gjashtë vendeve të Ballkanit është përfshirë edhe Himara në Shqipëri.

“Në rivierën shqiptare, ju pret qyteti i përgjumur i Himarës. I shtirë buzë detit Jon ju keni mundësi që të vizitoni plazhet e Gjipesë dhe Gramës. Ky qytet ofron peizazh të jashtëzakonshëm me të cilin nuk ngopeni kurrë. Aty mund të vizitoni parkun e Llogarasë, ku mund të ecni në këmbë dhe të shijoni natyrën ”, shkruan Vogue për Himarën.

“Gjatë vizitës ndaluni në Dhërmi ose në Sarandë. Nëpër rrugët e Himarës ju mund të gjeni kafe dhe ushqim tradicional”, thuhet më tej në përshkrimin e për Himarën.

Në listë të Vogues janë edhe Ohri, Beogradi, Transilvania e Rumanisë dhe rajoni i Hercegovinës në Bosnje e Hercegovinë.