RIA: Vdiq ambasadori i plagosur rus në Ankara

Agjencia ruse e lajmeve, RIA raporton se ambasadori rus i plagosur në Ankara ka vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, transmeton Reuters.
 

Mediat turke më herët kanë raportuar se ambasadori i Rusisë në Turqi, Andrei Karlov është “plagosur rëndë” si pasojë e një sulmi me armë zjarri.

Faqja e internetit e gazetës, Hurriyet versioni në anglisht, ka thënë se ambasadori, Karlov është plagosur derisa mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.

Agjencia turke e lajmeve, Anadolu raporton se personi i armatosur në këtë sulm është “neutralizuar” pa dhënë ndonjë detaj tjetër.

Një fotograf i Associated Press që ka qenë në audiencë në vendin e ngjarjes ka thënë se sulmuesi i dyshuar kishte veshur kostum ndërsa ka thirrur “Allahu Akbar” derisa ka shtënë tetë herë.

Sulmuesi i dyshuar gjithashtu raportohet të jetë vrarë.

NTV raporton se edhe tre persona të tjerë janë plagosur.