Rilindja urbane Tiranës kushton 12 milion euro

“Rilindja urbane e Tiranës kushton 12 milionë euro”

Kostoja totale e projektit të debatuar të qeverisë për rikonstruksionin e Sheshit Skënderbej sipas planit të miratuar fillimisht në vitin 2008, pritet të arrijë në mbi 1.7 miliardë lekë dhe qeveria ka miratuar së fundmi përmes Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve fondin për fazën e dytë prej 1.2 miliardë lekësh.

Vendimi nr. 45 i KZHR-së, institucionit kontrovers që menaxhon një pjesë të rëndësishme të fondit të investimeve publike, ka miratuar edhe 10 projekte të tjera të ngjashme në qytetet Kurbin, Fushë Arrëz, Lushnjë, Tepelenë, Përmet, Vlorë e Selenicë, me vlerë totale prej 2.2 miliardë lekësh.

Qeveria vendosi të riaktivizojë projektin e vitit 2008 për sheshin kryesor të Tiranës këtë vit, pasi administrata e mëparshme e drejtuar nga Lulzim Basha, refuzoi ta zbatojë atë plan duke i dhënë sheshit pamjen që kishte deri së fundmi. Tenderi për fazën e parë të punimeve u zhvillua në muajin gusht dhe u fitua nga e vetmja kompani që hodhi një ofertë financiare, Fusha sh.p.k.

Punimet nisën në shtator duke shkaktuar bllokime trafiku dhe ankesa nga qytetarët. Pas fillimit të punimeve të fazës së dytë, sheshi Skënderbej do të mbyllet tërësisht për trafikun për t’u kthyer në hapësirë për këmbësorët.

Nuk është e qartë se çfarë e ka shtyrë qeverinë të shpenzojë kaq shumë para për të rindërtuar një shesh që është ndërtuar vetëm pak vite më parë.

Kryeministri Rama u kritikua së fundmi nga komentuesit në faqen e tij në Facebook, të cilët ngritën pikëpyetje se pse ai nuk mendonte për nevojën për investime në ujësjellësa, por qe përqendruar vetëm në ndërtime sheshesh dhe fasadash. Kryeministri iu përgjigj se qeveria nuk ka para.

Qeveria është vënë vazhdimisht nën kritika për përdorimin e institucionit të njohur si Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, një krijesë e qeverisë së kaluar që u përdor nga qeveria për të shpërndarë fonde pa kurrfarë transparence paraprake, në përgjithësi për bashkitë e kontrolluar nga qeveria qendrore. Kritikat për vetë ekzistencën e Komitetit janë të shumta pasi, megjithëse supozohet se bashkitë konkurrojnë për të përfituar fonde nga ky institucion, vendimmarrja në të është tërësisht jo transparente, ndërkohë që kontrolli i përket efektivisht vetë qeverisë, pasi Komiteti drejtohet nga kryeministri dhe në përbërje të tij janë në shumicë dërrmuese ministrat e kabinetit të tij.

Së fundmi, kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi deklaroi se ndjehej e persekutuar nga mungesa e financimeve të projekteve të kësaj bashkie nga qeveria qendrore. Kryeministri iu përgjigj me fyerje duke deklaruar se “Bashkia e Shkodrës drejtohet nga një hu”.

Duke reflektuar pjesërisht kritikat për persekutim të bashkive të pakta që aktualisht kontrollohen nga kryebashkiakë të opozitës, vendimet e fundit të Komitetit i kanë akorduar Bashkisë Shkodër një projekt me vlerë 76 milionë lekë ndërsa bashki të tjera të kontrolluara nga opozita, si Tropoja e Përmeti morën gjithashtu një pjesë të fondeve.