Rilindje me BESË: Askush nuk mund ta djegë Rilindjen e BESËS shqiptare

Deri tani ka pasur shumë raste të shkatërrimit të materialit parazgjedhor të partive politike, mirëpo rrallëherë, madje ndoshta asnjëherë, nuk ka ndodhur të tentohet të digjet bilbordi i një oponenti.

 

Kjo nuk flet për asgjë tjetër, përveç për frikën ndaj atyre që deri dje hidhnin gurin e fshihnin dorën. Tani po shihet se ata e kanë ndryshuar strategjinë dhe ndezin zjarr, e pastaj fshehin dorën. Për fat të keq, ata edhe gurin edhe zjarrin gjithmonë i kanë hedhur vetëm kundër shqiptarëve, e asnjëherë kundër partnerëve të koalicionit, prej të cilëve janë nënçmuar në formën më brutale.

Ky tentim as nuk e frikëson e as nuk e dekurajon koalicionin “Rilindje me Besë” në zhvillimin  aktivitetit të vet parazgjedhor. Përkundrazi, na jep motiv më tepër për ta vazhduar rrugën tonë, sepse dëshmon që oponent kryesor e kemi jo vetëm një kundërshtar politik, por edhe një armik të shqiptarëve.

 

Kjo na jep motiv neve dhe të gjithë shqiptarëve që më 11 dhjetor t’i dënojmë për pjesëmarrjen e tyre në rastin e Sopotit, për vrasjen e Harun Aliut me shokë, për botimin e Enciklopedisë famëkeqe antishqiptare, për pjesëmarrjen në rastin “Monstra”, për djegien pronave shqiptare në Gjorçe Petrovi dhe, në fund, për pjesëmarrjen direkte në tradhtinë e Kumanovës, për çka edhe kanë marrë shpërblime të majme nga Jankullovska, Mijallkovi dhe Çavkovi.

Ne edhe një herë apelojmë deri te anëtarësia, aktivistët dhe simpatizuesit e Lëvizjes Besa, që të përmbahen deri më 11 dhjetor. Kjo nuk është hera e parë që kundërshtarët kanë dashur ta djegin Besën Shqiptare, mirëpo historikisht dihet se kushdo që ka dashur ta djegë Besën, është djegur në zjarrin e vet.

 

Mënyra më e mirë për t’i djegur kësaj radhe kundërshtarët tanë është përmes votës shqiptare më 11 dhjetor.