Ronaldo nënshkruan për 5 vjet me Realin: Nuk është kontrata e fundit

Kristiano Ronaldo ka nënshkruar një kontratë të re me Realin e Madridit, e cila zgjat pesë vjet dhe do të përfundojë në vitin 2021. Bëhet fjalë për një kontratë që ishte folur kohë më parë në mediat spanjolle dhe ishte konfirmuar nga klubi madrilen, por dje ishte si të thuash zyrtarizimi i saj. Ronaldo do të shpenzojë edhe pesë vjet të tjera në Madrid nga jeta e tij, ndërkohë që ka mbushur shtatë vjet që kur erdhi nga Mançester Junajtid në klubin historik të kryeqytetit spanjoll. Ronaldo nënshkroi kontratën e re që do të skadojë në verën e vitit 2021, një kontratë që e mban portugezin të lidhur me klubin “Los Blancos” edhe për vitet e rëndësishme të karrierës së tij. por Ronaldo nuk kënaqet me kaq. Duke kuptuar rëndësinë e këtij rinovimi dhe i përgatitur për pyetjet e vështira të gazetarëve, Ronaldo kujtoi se kjo nuk do të jetë kontrata e fundit e tij me Realin, por planifikoi dhe e tha më pas hapur se do të firmosë dhe një kontratë tjetër pesëvjeçare kur të përfundojë aktualja, duke qenë i bindur se do të vazhdojë të luajë futboll deri në moshën 41-vjeçare. Në një foto me presidentin Florentino Perez, që të dy me syze, Ronaldo gjeti kohë të bëjë deklaratat e duhura dhe në funksion të interesave të tij, pikërisht në sytë e presidentit madrilen, si për të kujtuar se ai do ta mbyllë karrierën e tij si futbollist pikërisht në kryeqytetin spanjoll. “Unë do të doja të falënderoja presidentin, shokët e skuadrës dhe të gjithë ata që më ndihmuan të vij në këtë fazë. Është një ditë e rëndësishme për mua. Unë e kam përsëritur shpesh se ky klub është zemra ime dhe këtu është një pjesë e imja, gjithmonë. Unë do të jem këtu edhe për pesë vjet, por kjo nuk do të jetë kontrata ime e fundit, që të kuptohemi, por kjo është shumë e veçantë sigurisht. Unë kam mendimet e mia për karrierën, por kryesorja është se unë dua të jap më të mirën time këtu dhe të lë gjurmë. Nuk e di të ardhmen, por kështu si e ndjej veten besoj se kjo është kontrata e parafundit imja me Realin e Madridit”, tha Ronaldo, kandidat për të fituar topin e artë të katërt në karrierë në janar të 2017-s.. I gëzuar u shfaq edhe presidenti Florentino Perez, i cili tha se Reali po nënshkruan zgjatjen e kontratës me një legjendë të gjallë të Realit të Madridit, me sulmuesin që ka shënuar më shumë, lojtarin unik në llojin e tij dhe lojtarin që shënoi mbi 50 gola çdo sezon në gjashtë vitet e fundit. “Ju jeni i veçantë, një ikonë e gjallë e këtij klubi, shënuesi më i mirë i historisë së Realit dhe një futbollist fenomenal. Tek Reali gjithnjë kanë luajtur më të mirët, sepse e tillë është filozofia e këtij klubi legjendar dhe ne jo rastësisht kemi fitues 11 herë të Champions League. Ne jemi trashëgimtarë të futbollistëve më të mëdhenj dhe njëherësh klubi që shkruan historinë. Ju (Ronaldo) jeni pjesë e historisë së Realit”, tha Perez.