Rrahën për vdekje Ilia Karelin, ja dënimi për 12 gardianët e burgut

Asnjë nga gardianët grekë që akuzoheshin se me torturat e tyre kishin shkaktuar vdekjen e të dënuarit shqiptar Kudret Kume, të njohur si Ilia Kareli, në marsin e viti 2014, nuk do të shkojë në burg.

Gjykata e Selanikut ka dhënë dënimet për 12 nga 14 rojet e akuzuar, prej të cilëve 6 janë dënuar me 5 vjet heqje lirie me kusht, 3 të tjerë me 6 vjet me kusht dhe 3 të fundit me 7 vjet.

Ky dënim i liron ata para Gjykatës së Apelit, mund të rikthehen në të ardhmen përsëri në punët e tyre dhe e vetmja e drejtë që iu hiqet në këto vite është dalja jashtë shtetit.

I akuzuari i 13-të është dënuar me 3 vjet me kusht, ndërsa drejtori i burgut të Nigritës ku ndodhi ngjarja është shpallur i pafajshëm, pasi ka pasur dyshime të forta për akuzën ndaj tij.

Sipas vendimit të gjykatës, vdekja e Ilia Karelit nuk ka ardhur nga torturat e pësuara në këtë burg, por nga një infarkt në zemër që ka nisur që në burgun e Malandrinos.

Gjykata ka pranuar përfundimisht konvertimin e akuzës për të cilën gjykoheshin të pandehurit nga “kryerje e dallueshme torturash” në “kryerje të thjeshtë të torturave” dhe kjo ka sjellë dënimet e lehta për gardianët e akuzuar, që sipas gjykatës nuk e dinin se i burgosuri kishte kaluar një infarkt në zemër.

Gjykata madje vendosi që të zbusë vendimet për të akuzuarit duke marrë parasysh edhe ndershmërinë e tyre në jetën e përditshme dhe për më tepër, siç shkruhet në mënyrë karakteristike në vendim, edhe pendimin e tyre të sinqertë për veprimin e kryer.

Ky nuk është një vendim i formës së prerë pasi çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit./Dritare.net