Rrëzohet një aeroplan indonezian, nuk ka të mbijetuar

Një aeroplan ushtarak transportues i Indonezisë është rrëzuar sot, për shkak të kushteve të dobëta atmosferike në provincën lindore, Papua.

Të gjithë 13 personat në bord kanë vdekur, transmeton Express.

Aeroplani po barte 12 tonë furnizime ushqimore dhe çimento nga Timika për në Wamena, një distancë prej rreth 200 kilometrave, kur u rrëzua pak minuta para se të ateronte, sipas shefit të Forcës Ajrore të Indonezisë, Agus Supriatna.

Në aeroplan ndodheshin tre pilotë dhe 10 anëtarë të personelit.

Asnjëri nuk i ka mbijetuar kësaj fatkeqësie.

Besohet se shkaktari kryesor i rrëzimit të aeroplanit ishte moti i ligë dhe retë e ulëta./Express/