Rritet numri i viktimave nga acari, ngrin nga i ftohti i pastrehu me aftësi të kufizuara

Një person që dyshohet se ka qenë i pastrehë dhe me aftësi të kufizuara mendore ka gjetur vdekjen si pasojë e acarit, përkatësisht hipertermisë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Landovicë të Prizrenit.
Rasti sipas Policisë së Kosovës është evidentuar të hënën rreth orës 3 të mëngjesit. “Në rrethana të panjohura është gjetur pa shenja jete viktima mashkullk-shqiptar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nuk raportohet për të dyshuar”, shkruan në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka bërë të ditur se një patrullë e policisë të hënën në mëngjes ka hasur trupin e pajetë të personit me inicialet A.O. afër një pompe karburantesh, në fshatin Landovicë. “Policia ka njoftuar ekipin e emergjencës që ka dalë në vendin e ngjarjes dhe trupi i pajetë është dërguar në spital pa shenje jete. Dyshohet se ai ka vdekur nga hipertermia”, ka thënë Berisha. Më herët një tjetër person humbi jetën si pasojë e motit të keq në Kosovë.
KOMENTET TUAJA