Rrogat e presidentëve më të fuqishëm në botë

Keni menduar ndonjëherë se sa mund të jetë rroga e presidentit të Amerikës? Nëse po, sot kemi një përgjigje të detajuar. Nëse flasim për Trump, ai ka deklaruar se do i mjaftonte një rrogë prej 1 dollari në vit dhe për një biznesmen të suksesshëm si ai ky nuk është aspak një problem, por Obama mësohet të jetë paguar 400 mijë dollarësh në vit. I dyti pas presidentit në largim renditet kryeministri kanadez, Justin Trudeau. 45-vjeçari sportiv, që çdo vit merr 262 mijë dollarë, gati dyfishin e pagesës së një parlamentari kanadez. Nuk mund të mos ishte bujare paga për gruan më të pushtetshme të botës, Angela Merkel, që siguron 240 mijë dollarë për shërbimin e saj, më shumë se kushdo tjetër në Europë. Presidenti francez vlen 194 mijë dollarë, ndërsa kryeministrja britanike 178 mijë. Në Itali, kolltuku i “Palazzo Chigi” vlen 124 mijë dollarë në vit. Ndërkohë, kriza ekonomike e Rusisë, e përkeqësuar edhe nga sanksionet e konfliktit në Ukrainë, nuk i ka bërë mirë rublës, e as xhepave të presidentit Vladimir Putin. Nëse në vitin 2014 shijoi një pagë prej 7.7 milionë rublash, apo 193 mijë dollarësh, në vitin 2015 rroga e tij u rrit në valutën lokale në 8.9 milionë rubla, por e këmbyer në monedhën amerikane ajo rezulton e ulur në 137 mijë dollarë. Presidenti i Republikës Popullore të Kinës mbështetet te 22 mijë dollarë të ardhura në vit, po aq sa marrin edhe 22 pjesëtarët e Komitetit të përhershëm të zyrës politike të Partisë Komuniste kineze. Për drejtuesin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë dhe një vendi me 1.4 miliardë njerëz, shifra duket pak e ulët, sidomos nëse krahasohet me udhëheqësin ekzekutiv të Hong Kongut, që merr plot 545 mijë dollarë në vit.