Rruga e Arbrit, refuzohen kinezët, ofrohet një kompani shqiptare

Një kompani shqiptare është ofruar të përfundojë të gjithë Rrugën e Arbrit.

Burime të Ora News konfirmuan se Gjoka Construction ka paraqitur një kërkesë pranë qeverisë shqiptarë për të ndërtuar të gjithë pjesën e mbetur të rrugës për një vlerë prej 190 milion dollarësh.

Mësohet se Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave kanë ngritur një Komision  për të vlerësuar këtë ofertë, e cila me sa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e Rrugës së Arbrit.

Avantazhet e propozimit shqiptar rriten në një kohë kur mësohet se oferta e kompanisë kineze China State Construcion është refuzuar, pasi sipas burimeve është vlerësuar shumë e lartë.

Për ndërtimin e 27 kilometrave të Rrugës së Arbrit, kinezët dhanë një ofertë prej 300 milion dollarësh, e cila nëse nuk arrihej të përfitohej nga taksa e rrugës, do të subvencionohej nga buxheti i shtetit.