Rruga e gjatë për gjuhën shqipe

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni gjithnjë kanë sjellë përplasje me maqedonasit.

Fillimvitet ’90, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Federata Jugosllave ishin të vështira për shqiptarët në Maqedoni, të cilët janë përndjekur dhe burgosur për mbajtjen e simboleve kombëtare.

Betejë më vete dhe protesta të herëpashershme kanë qenë për mësimin e shqipes në shkolla, ndërsa hapja e Universitetit Shtetëror të Tetovës kaloi përmes peripecish të shumta.

Mungesa e vëmendjes së shtetit maqedonas ka sjellë jo pak herë rebelimin e shqiptarëve, i cili kulmoi me përplasjen e armatosur në 2001.

Por pas uljes së armëve u gjet gjuha e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Shkup, ku më13 gusht 2001 u firmos dhe Marrëveshja e Ohrit, e cila në letër garantonte të drejta të barabarta mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Gjatë këtyre viteve u bënë disa hapa përpara, por do të duhej të kalonin 16 vjet nga ajo ngjarje që gjuha shqipe të bëhet zyrtare në Maqedoni.

Gjatë gjithë kësaj periudhe shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar zbatimin e dokumentit gërmë për gërmë, si rruga e vetme e bashkjetesës dhe stabilitetit të brendshëm.

Faktori shqiptar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e vendosi si kusht zyrtarizimin e shqipes për pjesëmarrjen në qeveri. Debatet për këtë çështje sollën dhe pamundësinë e Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij, VMRO-DPMNE, për të krijuar kabinetin, edhe pse doli partia e parë në zgjedhje.

Kjo, pasi të gjitha partitë shqiptare, si rrallë ndonjëherë, i paraqitën një platformë të përbashkët si kusht për të krijuar koalicionin.

Por Gruevski e refuzoi, ndërsa në negociata hyri kreu i social-demokratëve Zoran Zaev. Me votat e partive shqiptare, Zaev krijoi qeverinë, e cila i dha dritën jeshile zyrtarizimit të shqipes të premten në mbrëmje. Përshpejtimi i ligjit të përdorimit të gjuhëve në Maqedoni dhe i hapave ligjorë të planit që njihet si “3-6-9” që kyreministri Zaev ka paraqitur në Bruksel, do të jenë parakusht për rrugën Euro-Atlantike të Maqedonisë.