Rruga Tetovë-Jazhincë, në gjendje katastrofale

Gropa, ujë dhe baltë. Kjo është pasqyra momentale e një pjese të rrugës Tetovë-Jazhincë. Nëpër këto gropa të mbushura me ujë, për çdo ditë, fëmijët kalojnë për të mbërritur në shkollë. Situatën e vështirëson edhe shkrirja e borës pasi uji përfundon edhe në bodrumet e shtëpive. Kjo gjendje paraqitet për shkak të mos përfundimit të projektit për kanalizimin dhe ujësjellësin.

“Fëmijët tanë shkojnë në shkollë dhe kalojnë nëpër këtë rrugë të pa asfaltuar. Këtu ka gropa të mëdha dhe veturat i spërkasin fëmijët edhe njerëzit që udhëtojnë çdo ditë. Kjo është katastrofë, shumë vetura janë shkatërruar janë prishur”.

“Me rrugën shumë problem. Nisën ta ndërtojnë në vjeshtë, kjo nuk ndërtohet në vjeshtë dhe në kohë dimri.  Veturat prishen, fëmijët përlyhen bëhet qamet kjo”.

“Uji është nga rruga që prej dy ditësh kur kaloi një buldozer 50 tonësh nga dridhja., por edhe gypat të gjitha ishin të prishura kur filluan punët. Bodrumi i mbushur 70 centimetra ishte, mbrëmë e pastruam edhe te unë ka hy edhe tek komshiu në të dyja anët”.

Nga komuna e Tetovës premtojnë se shpejti do vazhdojnë punimet në këtë rrugë për të përmbyllur projektin për kanalizimin dhe ujësjellësin që u ndëprenë kohë më parë shkaku i të ftohtit dhe ngricave.

“Në këtë rrugë intervenimet janë bërë me kërkesë të banorëve dhe së shpejti edhe kjo do të merr pamjen e rrugës së Manastirit” – thanë nga komuna e Tetovës.

“Kjo rrugë përveç që lidh fshatrat nga Tetova deri në Jazhincë, shfrytëzohet edhe si rrugë ndërkombëtare që lidh Maqedoninë me Kosovën”.