Ruzhdi Lata dhe zv/ministrja Elezi vizituan bizneset dibrane (FOTO)

Gjatë vizitës së saj në Dibër, zv/ministrja e Financave në RM , Shyrete Elezi vizitoi kryetarin e Komunës së Dibrës , Ruzhdi Lata , me të cilin biseduan për problemet dhe hallet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Dibrës.
Pas vizitës në komunë, zv/ministrja Elezi bashkë me kryetarin Lata vizituan fabrikën për përpunimin e gjipsit “Knauf- Radika”, “Banjat e Dibrës-Capa” ndërmarrjen për prodhimin e shporetëve”Diecotek” dhe call center kompaninë “Slice”- një kompani e themeluar nga dibranë që jetojnë në SHBA dhe që për momentin ka të punësuar mbi 150 dibranë.

Në të gjithë këto takime, Elezi dhe Lata u takuan me ekipet menaxhere të subjekteve vizituese të cilat janë faktori kyç për ngritjen e ekonomisë dibrane dhe që kanë numrin më të madh të të punësuarve, ku biseduan për hallet, problemet dhe pengesat me të citat ato ballafaqohen, si dhe për alternativat dhe mundësisë që ato halle të eskivohen.

Pasi kompania “Slice” është një kompani e re dhe se ka ndikuar dukshëm në zbehjen e papunësisë në Dibër, Shyrete Elezi i garantoi ato se, si kompani e re, do të kenë ndihmën e saj në të gjitha aspektet, e veçanërisht do ta kenë derën e hapur në ministrinë e Financave përr t’i shfrytëzuar benefitet dhe subvencionet që ofron shteti për biznese të cilat ndikojnë në ngritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë.

Pas vizitave nëpër ndërmarrjet private, Lata dhe Elezi vizituan objektin e gjimnazit “28 Nëntori” , me çka ajo uroi Lata për këtë vepër madhore kapitale dhe theksoi se gjimnazi i Dibrës është definitivisht gjimnazi më i mirë dhe më modern në Maqedoni.