Sa paguhej për një shtrim në spital në vitin 1946

Jemi në vitin 2017 ku zien debati mbi cilësinë e shërbimit spitalor, por mbi të gjithë ai mbi kostot. Kjo dhe për faktin e një premtimi të bujshëm të Ramës për ta ofruar falas, gjë për të cilën opozita i është me “gurë në trastë” ngjitur akoma pa ardhur në pushtet.

Por si paraqitej gjendja e mjekësisë e sidomos tarifave të saj dy vjet pas ardhjes së paraardhësve të rilindasve në pushtet, pra komunistëve, në vitin 1946?

Si dhe sa paguhej për t’u kuruar dhe afërsisht sa zgjaste një shtrim normal?

Për këtë na ndihmon shumë një faturë e sanatoriumit të Korçës. Dokumenti është i rrallë në llojin e vet, i trashëguar nga shteti i i parapushtimit fashist. Për këtë, duke qenë se vendi nuk kishte adresaturën e duhur të administratës shtetërore të re, ka vënë në përdorim një dokument te administratës së vjetër, të atij pushteti e shtetit të rrëzuar me Kongresin e Përmetit, ku shkruhej  fillimisht në krye: “Mbretnija Shqiptare”.

Më poshtë renditet: Ministrija e P të Mbrendëshme, dyfjalësh i cili është eliminuar me një vizë  me penë dhe bojë të hedhur sipër. Më tej është shkruar Drejtoria e P. Shëndetësisë.  Dhe me tej shënohet adresa e institucionit që lëshon dëftesën, e cila është Drejtoria e Sanatoriumit të shtetit Korçë. Seria A e dokumentit. Me nr. 034323.

Dokumenti vërteton se pagesa është bërë me para në dorë në arkë për shërbimin shëndetësor të marrë gjatë shtrimit të një pacienti. Numri i faturës së pagesës në dorë është 23. Nga dokumenti mësohet se ka qenë pacientja Margarita Shkurti e cila ka paguar në dorë 105. 50 franga shqiptare për një kurim prej 45 ditësh që ka qënë e shtruar. Ajo është shtruar nga data 14. 8. 46 dhe për deri me datën 1. 9. 1946 ka paguar me 50 % të vlerës së shtrimit. Ndërsa nga data 2. 9. 46 deri më 30. 9. 46, ajo ka paguar me zbritje 60%. Pra mësohet se për periudha shtrimi të gjata, kishte ulje në pagesat e të sëmurëve nga 50 deri në 60 %.

Dokumenti është plotësuar ditën e pagesës nga llogaritari arkëtar me 23 tetor të atij viti. Kujtojme se në atë periudhe ishin ende në përdorim banknotat e Bankës Shqiptare të qeverisë së Zogut. Të ricikluara nepërmjet nje vule nga banka e shtetit të ri në vitin 1945 dhe që ishin në përdorim provizor, ndërsa blloku i faturave dhe lekët në atë periudhë i përkisnin qeverive ne ikje, pullat e njohura si pullat e monopolit, ose të taksave , janë të qeverisë se re. Ato janë me mbishkrimin  “Qeveria Demokratike e Shqipnis”.

Fatura e Siptalit është nje shkresë që fillon me emërtimin e një mbretërie të skaduar dhe përfundon po me stemat  postare të një qeveri e të sapoardhur në pushtet, tashmë edhe ajo e skaduar…/tesheshi